AVONET kërkon nga Kushtetuesja vlerësimin e zbatimit të Aktgjykimit KO124/25 për konstituimin e Kuvendit
Rrjeti i organizatave AVONET ka njoftuar se së bashku me organizata të tjera nënshkruese ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026. Sipas AVONET-it, kërkesa është bërë pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit,…
Lajme
Rrjeti i organizatave AVONET ka njoftuar se së bashku me organizata të tjera nënshkruese ka dorëzuar kërkesë në Gjykatën Kushtetuese lidhur me procesin e konstituimit të Kuvendit të dalë nga zgjedhjet e 7 qershorit 2026.
Sipas AVONET-it, kërkesa është bërë pas zhvillimeve të fundit në procesin e konstituimit, ndërsa afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit, bazuar në rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të certifikuara më 8 korrik, ka përfunduar më 7 gusht 2026.
AVONET i referohet Aktgjykimit KO124/25 të Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar se në të është përcaktuar se afati 30-ditor për konstituimin e Kuvendit përbën detyrim kushtetues.
“Brenda këtij afati duhet të përfundojnë të gjitha veprimet kushtetuese që çojnë në konstituimin e plotë të Kuvendit”, thuhet në njoftimin e AVONET-it.
Sipas organizatës, seanca konstituive e mbajtur më 6 gusht nuk ka përfunduar me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit, ndërsa vazhdimi i saj ishte caktuar për 8 gusht.
“Mbajtja e një seance që nuk përfundon me zgjedhjen e Kryetarit dhe Nënkryetarëve të Kuvendit nuk nënkupton se Kuvendi është konstituuar”, thekson AVONET.
Për këtë arsye, organizatat i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të vlerësojë nëse Aktgjykimi KO124/25 është zbatuar në përputhje me përcaktimet e tij dhe brenda afatit të paraparë.
Kërkesa, sipas AVONET-it, është mbështetur në Rregullin 60 të Rregullores së Punës së Gjykatës Kushtetuese, i cili përcakton procedurën në rastet kur ngrihet çështja e moszbatimit të një vendimi të Gjykatës.
“Nëse konstatohet moszbatimi i Aktgjykimit KO124/25, Gjykata të ndërmarrë veprimet e parapara me Rregulloren e saj, përfshirë nxjerrjen e Aktvendimit për moszbatim, gjegjësisht për mospërmbarim”, thuhet në kërkesë.
AVONET ka vlerësuar se çështja ka rëndësi për funksionimin e institucioneve të zgjedhura dhe respektimin e rendit kushtetues.
“Zbatimi i vendimeve të Gjykatës Kushtetuese është detyrim për institucionet dhe garanton që proceset politike dhe institucionale të zhvillohen brenda kufijve të përcaktuar nga Kushtetuta dhe rendi juridik”, thuhet në njoftim.
Organizata ka theksuar se përmes kësaj kërkese synon që çështja të trajtohet përmes mekanizmave institucionalë, me qëllim të krijimit të qartësisë juridike dhe institucionale rreth procesit të konstituimit të Kuvendit.