Eklipsi diellor sot do të shihet edhe nga Kosova, ja në çfarë ore
Një eklips diellor do të jetë i dukshëm edhe nga Kosova të mërkurën mbrëma, ndonëse në vendin tonë do të shihet vetëm pjesërisht. Sipas të dhënave të TimeandDate, eklipsi i pjesshëm diellor në Kosovë do të nisë në orën 19:29, ndërsa kulmi pritet në 19:38. Në këtë moment, hëna do të mbulojë pjesën më të…
Lajme
Një eklips diellor do të jetë i dukshëm edhe nga Kosova të mërkurën mbrëma, ndonëse në vendin tonë do të shihet vetëm pjesërisht.
Sipas të dhënave të TimeandDate, eklipsi i pjesshëm diellor në Kosovë do të nisë në orën 19:29, ndërsa kulmi pritet në 19:38. Në këtë moment, hëna do të mbulojë pjesën më të madhe të diskut të dukshëm të diellit.
Vetëm tre minuta pas kulmit, në orën 19:41, dielli do të perëndojë, duke e bërë vëzhgimin e fenomenit astronomik më të vështirë.
Për shkak se eklipsi do të ndodhë shumë pranë horizontit, vëzhguesve u rekomandohet të zgjedhin një pikë të lartë dhe një zonë pa pengesa, me pamje të lirë drejt perëndimit-veriperëndimit.
Faza e pjesshme e eklipsit, sipas parashikimeve, do të përfundojë në orën 21:07.
Eklipsi do të jetë i plotë në disa pjesë të Spanjës, Portugalisë, Grenlandës dhe Islandës, ndërsa në pjesën më të madhe të Evropës Perëndimore do të jetë i pjesshëm.
Sipas The Guardian, në Spanjë kulmi i eklipsit pritet rreth orës 20:26–20:33, ndërsa në Londër rreth 19:13, transmeton KosovaPress.
Ekspertët paralajmërojnë se dielli nuk duhet të shikohet drejtpërdrejt me sy të lirë, pasi mund të shkaktojë dëmtime serioze të shikimit. Për vëzhgim të sigurt duhen përdorur syze të posaçme për eklipse. Në mungesë të tyre, një alternativë e thjeshtë është metoda e projeksionit me kullesë, përmes së cilës drita e diellit projektohet mbi një sipërfaqe të bardhë.
Ky konsiderohet eklipsi i parë i plotë diellor i dukshëm nga Evropa kontinentale pas rreth dy dekadash.