​24 vatra zjarri në një ditë, tetë janë ende aktive në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri bën me dije se gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive. Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale, 103 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2…

Lajme

11/08/2026 22:49

Ministria e Mbrojtjes në Shqipëri bën me dije se gjatë 12 orëve të fundit janë raportuar 23 vatra zjarri në të gjithë vendin, nga të cilat 8 vijojnë të jenë aktive.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 26 automjete zjarrfikëse, 310 forca operacionale, 103 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”, ndërsa mjetet ajrore kanë ndërprerë operacionet gjatë mbrëmjes, shkruan Euronews Albania, përcjell KosovaPress.

Ndërhyrjet vijojnë në Dajt, Priskë të Madhe, Drenie të Patosit, Krujë, malin e Nemërçkës dhe malin e Dhëmbelit, ku sipas autoriteteve nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Një operacion i rëndësishëm po zhvillohet edhe në Gurë-Lurë të Dibrës, ku forcat zjarrfikëse, vullnetarët dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura u angazhuan pranë banesave për mbrojtjen e komunitetit.

Ndërkohë, Ministria njofton se vatra e zjarrit në Vilëz të Kurbinit është shuar plotësisht.

Sipas ministrisë, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile dhe strukturat vendore vijojnë koordinimin dhe operacionet në terren deri në neutralizimin e plotë të vatrave aktive.