MBPZHR paralajmëron fermerët: Djegia e hamulloreve është e ndaluar, shkelësit rrezikojnë pagesat direkte

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë thirrje për fermerët dhe qytetarët që të mos djegin hamulloret, kashtën dhe mbetjet e tjera bimore pas përfundimit të korrje-shirjeve. Përmes një njoftimi, MBPZHR ka rikujtuar se djegia e këtyre mbetjeve është e ndaluar me Udhëzimin Administrativ (MBPZHR) Nr. 02/2026 për Pagesat Direkte në Bujqësi. Sipas…

Lajme

11/08/2026 17:21

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka bërë thirrje për fermerët dhe qytetarët që të mos djegin hamulloret, kashtën dhe mbetjet e tjera bimore pas përfundimit të korrje-shirjeve.

Përmes një njoftimi, MBPZHR ka rikujtuar se djegia e këtyre mbetjeve është e ndaluar me Udhëzimin Administrativ (MBPZHR) Nr. 02/2026 për Pagesat Direkte në Bujqësi.

Sipas ministrisë, Neni 17 i këtij udhëzimi përcakton ndalimin e shprehur të djegies së kashtës së grurit dhe mbetjeve të tjera bimore nga aktivitetet bujqësore.

“Shkelja e këtij neni rezulton me reduktim ose përjashtim nga pagesat direkte”, thuhet në njoftimin e MBPZHR-së.

Ministria ka paralajmëruar se djegia e hamulloreve paraqet rrezik për njerëzit, pronën, tokën bujqësore, pyjet dhe mjedisin. Sipas saj, zjarret mund të përhapen në zona pyjore dhe të shkaktojnë ndotje të ajrit, ndërsa djegia dëmton mikroorganizmat e dobishëm, florën dhe faunën dhe ul potencialin agronomik të tokës.

MBPZHR u ka bërë thirrje fermerëve që, në vend të djegies, mbetjet bimore t’i menaxhojnë përmes inkorporimit në tokë, përdorimit për ushqim blegtoral apo formave të tjera të lejuara ekonomike dhe ekologjike.

Ndër masat e rekomanduara janë edhe lërimi i cekët i tokës, krijimi i brezave mbrojtës në parcelat pranë pyjeve dhe shfrytëzimi i parcelave për kultura të dyta, aty ku mundësitë e ujitjes e lejojnë.

Ministria ka apeluar te fermerët që të mos djegin hamulloret dhe të raportojnë zjarret apo rastet e rrezikshme tek autoritetet kompetente.

“Mos digjni – lëroni, menaxhoni mbetjet bimore në mënyrë të qëndrueshme dhe mbroni tokën”, është apeli i MBPZHR-së. /Lajmi.net/