Bileta e shtrenjtë ndez përplasjen në Prishtinë, Rama dhe LVV-ja përplasen pas vendimit të Gjykatës Supreme

Vendimi i Gjykatës Supreme për refuzimin e kërkesës për masë të përkohshme ndaj vendimit për rritjen e çmimit të biletës së autobusit në Prishtinë ka nxitur një përplasje të re publike mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal. Rasti lidhet me padinë e paraqitur nga drejtuesi i grupit…

Lajme

11/08/2026 14:33

Vendimi i Gjykatës Supreme për refuzimin e kërkesës për masë të përkohshme ndaj vendimit për rritjen e çmimit të biletës së autobusit në Prishtinë ka nxitur një përplasje të re publike mes kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, dhe përfaqësuesve të Lëvizjes Vetëvendosje në Kuvendin Komunal.

Rasti lidhet me padinë e paraqitur nga drejtuesi i grupit të asamblistëve të LVV-së, Gëzim Sveçla, kundër vendimit për shtrenjtimin e biletës së transportit urban.

Pas publikimit të vendimit të Gjykatës Supreme, Rama ka reaguar përmes rrjeteve sociale, duke kritikuar ashpër grupin e asamblistëve të LVV-së.

“Gjykata Supreme e ka refuzuar kërkesën e grupit të asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje! Po e ripërsëris, përveç që jeni dashakëqij, jeni edhe të padijshëm!”, ka shkruar Rama.

Ndaj tij ka reaguar Sveçla, duke sqaruar se vendimi i Supremes ka të bëjë me kërkesën për masë të përkohshme dhe jo me përfundimin e procesit gjyqësor.

“Përparimi qenka gëzuar që është refuzuar kërkesa për masë të përkohshme ndaj vendimit për shtrenjtim të biletës. Shihemi në Apel, Përparim legalizimi”, ka shkruar Sveçla.

Në përplasje është përfshirë edhe asamblistja e LVV-së, Jeta Dida Bujari, e cila ka kritikuar gjuhën e përdorur nga kryetari i Prishtinës.

“I gjithëdijshmi z. Përparim Rama”, ka shkruar ajo, duke theksuar se refuzimi i një mase të përkohshme nuk nënkupton se vendimi për rritjen e çmimit të biletës është shpallur automatikisht i ligjshëm.

“Refuzimi i një mase të përkohshme nga gjykata është procedurë ligjore dhe nuk e bën një vendim automatikisht të drejtë apo në interes të qytetarëve”, ka deklaruar Bujari.

Sipas saj, asamblistët kanë për detyrë të mbrojnë interesin e qytetarëve dhe të kërkojnë transparencë për vendimet që ndikojnë drejtpërdrejt në xhepin e tyre.

“Detyra e asambleistëve është mbrojtja e xhepit të qytetarit dhe sigurimi i transparencës për çdo rritje çmimi në shërbimet publike”, ka shkruar ajo.

Bujari ka kritikuar edhe etiketimet e përdorura nga Rama ndaj përfaqësuesve të opozitës.

“Etiketimet me fjalë si ‘të padijshëm’ e ‘dashakëqij’ nuk e mbulojnë dështimin për të ofruar zgjidhje të përballueshme për transportin publik”, ka thënë ajo.

Ajo ka kërkuar më shumë llogaridhënie nga Komuna e Prishtinës, duke e cilësuar gjuhën e përdorur nga kryetari si të papërshtatshme.

“Prishtina ka nevojë për llogaridhënie dhe menaxhim të përgjegjshëm, jo për gjuhë ofenduese nga kryetari i komunës”, ka deklaruar Bujari.

Ndërkohë, përplasja politike dhe ligjore për çmimin e biletës së transportit urban në Prishtinë pritet të vazhdojë, pasi Sveçla ka paralajmëruar ankimim në Gjykatën e Apelit. /Lajmi.net/