Cakolli: Kurti dhe ministrat deputetë janë në shkelje të Kushtetutës dhe aktgjykimit të Gjykatës Supreme
Hulumtuesi i lartë në KDI, Eugen Cakolli, ka deklaruar se Albulena Haxhiu mund të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e ushtrueses së Presidentes edhe pas marrjes së mandatit të deputetes. “Deputetët mandatin e marrin që nga momenti i certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra çështja e betimit nuk e përmbyll marrjen e mandatit…
Lajme
Hulumtuesi i lartë në KDI, Eugen Cakolli, ka deklaruar se Albulena Haxhiu mund të vazhdojë ta ushtrojë detyrën e ushtrueses së Presidentes edhe pas marrjes së mandatit të deputetes.
“Deputetët mandatin e marrin që nga momenti i certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Pra çështja e betimit nuk e përmbyll marrjen e mandatit si të tillë. Deputetët bëhen deputetë në momentin kur KQZ-ja i certifikon rezultatet e zgjedhjeve”, ka thënë Cakolli.
Ai ka theksuar se Rregullorja e Punës së Kuvendit përcakton vazhdimin e funksioneve të kryetarit dhe nënkryetarëve të legjislaturës paraprake deri në përmbylljen e seancës konstituive.
“Rregullorja e punës së Kuvendit përmban një dispozitë, dhe nuk duhet harruar që rregullorja është një prej akteve me shumicën më të cilësuar që votohet në Kuvend përveç ndryshimeve kushtetuese, pra me 80 vota, edhe si e tillë ka peshën kushtetuese. Dhe aty përcaktohet që kryetari apo kryetarja dhe nënkryetarët e Kuvendit vazhdojnë funksionin e tyre deri në seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës”, ka deklaruar ai.
Sipas Cakollit, seanca konstituive përmbyllet vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.
“Për sa kohë nuk janë zgjedhur kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit dhe nuk është përmbyllur seanca konstituive, kryesia e legjislaturës paraprake vijon të ketë kompetenca vetëm për qëllimet e vazhdimësisë institucionale”, ka thënë Cakolli.
Ai ka argumentuar se aktualisht nuk ekziston ndonjë pozitë tjetër kushtetuese që mund ta marrë funksionin e ushtruesit të detyrës së Presidentit.
“Në situatën e tanishme nuk ka asnjë pozitë tjetër kushtetuese në vend e cila mund ta marrë funksionin e ushtruesit të detyrës së presidentit, andaj rrjedha e vetme logjike edhe e kuptueshme në këtë situatë mbetet që zonja Haxhiu ta ushtrojë atë”, ka deklaruar ai.
Cakolli ka thënë se situata aktuale kërkon qartësi nga Gjykata Kushtetuese, veçanërisht për pasojat e moskonstituimit të Kuvendit brenda afatit 30-ditor.
“Është e nevojshme që Gjykata Kushtetuese të ofrojë qartësi mbi atë se çfarë ndodh tash kur nuk kemi Kuvend të konstituuar brenda një afati kushtetues”, ka thënë ai.
Sipas tij, të paktën 10 deputetë mund ta dërgojnë çështjen në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa afati për një veprim të tillë është tetë ditë nga momenti i shkeljes së supozuar.
“Deputetët e Kuvendit, përkatësisht të paktën 10 sosh kanë afat 8 ditor gjithsej nga momenti i shkeljes së supozuar që ta dërgojnë një rast në Gjykatën Kushtetuese, që nënkupton se tashmë jemi vetëm 4 ditë para skadimit të kësaj mundësie kushtetuese”, ka deklaruar Cakolli.
Ai ka veçuar tri çështje për të cilat, sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet të japë qartësi.
“E para është të përcaktohet se a ka pasur konsumim të së drejtës së propozimit apo refuzimit në këtë rast nga Lëvizja Vetëvendosje. Dhe nëse po, cila duhet të jetë pasoja për një gjë të tillë, sepse e drejta kushtetuese nuk mund të keqpërdoret me qëllim të bllokimit të institucioneve”, ka thënë ai.
“E dyta duhet të përcaktohet se cila është pasoja juridike e moskonstituimit të Kuvendit brenda 30 ditëve. A do të ketë zgjedhje të reja, a do të ketë afat shtesë, apo vendi do të hyjë në një cikël të pafund të situatës së tillë”, ka deklaruar Cakolli.
Ndërsa për çështjen e tretë, ai ka folur për qeverinë në detyrë dhe ministrat që kanë marrë mandat deputeti.
“Dhe çështja e tretë, që do të duhej të trajtohej është ajo e qeverisë në detyrë. Përkatësisht ushtrimit të funksionit nga kryeministri dhe ministrat të cilët kanë marrë mandat deputeti”, ka thënë ai.
Cakolli ka pretenduar se kryeministri në detyrë Albin Kurti dhe ministrat që kanë marrë mandat deputeti tashmë janë në shkelje të Kushtetutës dhe të një aktgjykimi të Gjykatës Supreme.
“Zoti Kurti bashkë me të gjithë ministrat të cilët bartin funksione edhe në Kuvend, tashmë janë në shkelje edhe të aktgjykimit të Gjykatës Supreme por edhe të vetë Kushtetutës”, ka deklaruar ai.
Cakolli ka kritikuar edhe mos-thirrjen e seancës konstituive, duke e cilësuar situatën si shkelje të qëllimshme.
“Pas shkeljes së afatit 30 ditor ne kemi kërkuar që çështja të referohet menjëherë në Gjykatën Kushtetuese”, ka thënë ai.
“Prandaj mos-thirrja e seancës tashmë për më shumë se gati 72 orë është indikator i qartë që kemi të bëjmë me një situatë të shkeljes së qëllimshme, për çka e bën të domosdoshme dërgimin në Gjykatën Kushtetuese për të përcaktuar pasojat e veprimit ose mosveprimit brenda afatit kushtetues dhe e shkeljeve të qëllimshme kushtetuese nga ana e kryesuesit të seancës konstituive”, ka përfunduar Cakolli.