Bajrami paralajmëron “pasoja të rëndësishme kushtetuese”: Kuvendi duhet të konstituohet, politika nuk mund ta mbajë shtetin peng
Profesori i së drejtës kushtetuese dhe njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka reaguar për krizën aktuale politike dhe bllokadën e procesit të konstituimit të Kuvendit. Bajrami ka paralajmëruar për “pasoja të rëndësishme kushtetuese”, duke theksuar se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje e vullnetit politik të një partie apo grupi…
Lajme
Profesori i së drejtës kushtetuese dhe njëri nga hartuesit kryesorë të Kushtetutës së Kosovës, Arsim Bajrami, ka reaguar për krizën aktuale politike dhe bllokadën e procesit të konstituimit të Kuvendit.
Bajrami ka paralajmëruar për “pasoja të rëndësishme kushtetuese”, duke theksuar se konstituimi i Kuvendit nuk është çështje e vullnetit politik të një partie apo grupi parlamentar, por një detyrim që buron drejtpërdrejt nga Kushtetuta.
Sipas tij, afati prej 30 ditësh i përcaktuar në Kushtetutë duhet të respektohet dhe tejkalimi i tij, pa përfunduar procesi i konstituimit, paraqet një çështje serioze nga aspekti kushtetues.
“Neni 66.1 përdor një formulim të qartë: seanca konstituive mbahet brenda tridhjetë ditësh nga shpallja zyrtare e rezultateve të zgjedhjeve. Ky formulim nuk i jep subjekteve politike një mundësi të pakufizuar për ta shtyrë konstituimin”, ka deklaruar Bajrami.
Megjithatë, profesori ka bërë dallim mes pretendimit për shkelje të Kushtetutës dhe konstatimit përfundimtar të një shkeljeje të tillë, duke theksuar se kjo çështje i takon Gjykatës Kushtetuese.
“Një gjë është pretendimi për shkelje kushtetuese, ndërsa diçka tjetër është konstatimi përfundimtar i një shkeljeje kushtetuese”, ka thënë ai.
Bajrami e ka cilësuar situatën aktuale si krizë politike dhe institucionale, e cila tashmë po prodhon pasoja në planin kushtetues.
“Kemi të bëjmë para së gjithash me një krizë politike dhe institucionale, e cila po prodhon pasoja të rëndësishme kushtetuese. Kushtetuta e Kosovës përcakton strukturën e pushtetit, kompetencat e institucioneve dhe procedurat për funksionalizimin e tyre. Por Kushtetuta nuk mund ta zëvendësojë vullnetin politik”, ka deklaruar ai.
Sipas Bajramit, kur është hartuar Kushtetuta, nuk ka qenë e mundur të parashikohej çdo situatë e mundshme e bllokimit politik.
“Kur kemi hartuar Kushtetutën, nuk kemi mundur dhe as nuk ka qenë e mundur të parashikonim çdo situatë të mundshme të bllokimit politik”, ka thënë profesori.
Ai ka theksuar se zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit është pjesë thelbësore e procesit të konstituimit dhe se subjektet politike duhet ta përdorin vullnetin e tyre politik për zbatimin e Kushtetutës, e jo për bllokimin e saj.
Bajrami ka paralajmëruar gjithashtu se moskonstituimi i Kuvendit nuk nënkupton automatikisht shpërndarjen e tij, duke kërkuar që çdo pasojë juridike të përcaktohet përmes interpretimit të Kushtetutës dhe jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese.
Në këtë situatë, ai ka bërë thirrje për përgjegjësi politike dhe kompromis ndërmjet subjekteve parlamentare.
Sipas tij, rruga drejt funksionalizimit të institucioneve është e qartë: konstituimi i Kuvendit, zgjedhja e Kryetarit dhe Kryesisë, formimi i Qeverisë dhe krijimi i kushteve për zgjedhjen e Presidentit.
“Mos e mbani shtetin peng të kalkulimeve partiake. Mos e përdorni Kushtetutën si instrument bllokimi. Mos e degradoni debatin kushtetues me interpretime të improvizuara. Respektoni Kushtetutën dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka apeluar Bajrami.
Në fund, profesori i së drejtës kushtetuese ka dhënë një mesazh të drejtpërdrejtë për partitë politike.
“Konstituoni Kuvendin, formoni Qeverinë, zgjidhni Presidentin, funksionalizoni shtetin”, ka përfunduar ai.
Bajrami ka vlerësuar se çdo ditë e humbur në bllokadën institucionale dëmton autoritetin e shtetit, dobëson besimin e qytetarëve dhe krijon një precedent të rrezikshëm për kulturën kushtetuese të Kosovës. /Lajmi.net/