Kearns shpërndan reagimin e Ramës për Ibrin dhe Vuçiqin: Kjo është diplomaci

Deputetja britanike, Alica Kearns, ka shpërndarë në platformën “X” reagimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër. Kearns, duke shpërndarë postimin e Ramës, e ka shoqëruar atë me një koment të shkurtër: “Kjo është diplomaci”. Reagimi i Ramës erdhi…

Lajme

11/08/2026 11:12

Deputetja britanike, Alica Kearns, ka shpërndarë në platformën “X” reagimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, lidhur me deklaratat e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, për mundësinë e devijimit të rrjedhës së lumit Ibër.

Kearns, duke shpërndarë postimin e Ramës, e ka shoqëruar atë me një koment të shkurtër: “Kjo është diplomaci”.

Reagimi i Ramës erdhi pas deklaratave të Vuçiqit, i cili tha se Serbia po shqyrton mundësinë e devijimit të rrjedhës së Ibrit.

Rama në reagimin e tij u ndal te çështja e Ibrit, por edhe te deklaratat serbe për të ashtuquajturën “Shqipëri e Madhe” dhe statusin e Kosovës.

Ai theksoi se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj Serbisë dhe se nuk ka nevojë për një koncept të “Shqipërisë së Madhe” për të mbështetur Kosovën.

“Shqipëria nuk ka absolutisht asnjë pretendim ndaj territorit serb dhe nuk ka nevojë të shpikë një të tillë. As nuk kemi nevojë për një ‘Shqipëri të Madhe’ për të qëndruar në krah të Kosovës”, ka shkruar Rama.

Sipas tij, Kosova është shtet i pavarur dhe shqiptarët e Kosovës kanë institucionet dhe të drejtën e tyre për të përcaktuar të ardhmen.

“Kosova është shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kjo: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të përcaktuar të ardhmen e tyre. Ne do të qëndrojmë gjithmonë në krah të kësaj të drejte”, ka deklaruar ai.

Rama është shprehur edhe për çështjen e Ibrit, duke e cilësuar atë si një sistem ujor ndërkufitar dhe duke theksuar se menaxhimi i burimeve ujore duhet të marrë parasysh edhe pasojat për shtetet tjera.

“Çështja fillestare mbetet pikërisht aty ku e la Shqipëria: Ibëri është një sistem ujor ndërkufitar. Serbia është krejtësisht e lirë të menaxhojë burimet brenda juridiksionit të saj. Ajo që nuk mund të argumentojë në mënyrë të arsyeshme është se pasojat e mundshme për një shtet tjetër ndalojnë në mënyrë magjike në kufirin serb”, ka shkruar Rama.

Ai ka argumentuar se pikërisht për raste të tilla ekziston e drejta ndërkombëtare e ujërave, duke shtuar se lumenjtë nuk ndjekin kufijtë politikë.

“Lumenjtë kanë zakonin e bezdisshëm të ndjekin gjeografinë dhe jo pikat e diskutimit diplomatik”, ka shkruar kryeministri shqiptar.

Rama ka folur edhe për të drejtat e komunitetit serb në Kosovë, duke theksuar se siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e fetare e tyre duhet të mbrohen.

Në fund, ai ka përsëritur se Shqipëria mbështet marrëdhëniet e mira me Serbinë dhe integrimin evropian të rajonit, por ka theksuar se fqinjësia e mirë nuk mund të nënkuptojë pranimin e versioneve të ndryshme historike për territorin e Kosovës.

Postimi i Ramës është shpërndarë nga Kearns, e cila e ka vlerësuar atë me fjalët: “Kjo është diplomaci”. /Lajmi.net/