DHTIK kërkon zhbllokimin e institucioneve: Vonesat po rrisin pasigurinë për bizneset

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj për vonesat në konstituimin e institucioneve të vendit, në veçanti të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, pasi sipas tyre mungesa e institucioneve funksionale krijon pasiguri dhe shkakton dëme të mëtejshme për ekonominë dhe bizneset vendore. DHTIK u bën thirrje të gjitha partive politike të…

Lajme

11/08/2026 08:53

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka shprehur shqetësimin e saj për vonesat në konstituimin e institucioneve të vendit, në veçanti të Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, pasi sipas tyre mungesa e institucioneve funksionale krijon pasiguri dhe shkakton dëme të mëtejshme për ekonominë dhe bizneset vendore.

DHTIK u bën thirrje të gjitha partive politike të përfaqësuara në Kuvend që të tejkalojnë ngërçin politik dhe të mundësojnë sa më shpejt formimin e institucioneve, pasi Kosovës i duhen institucione funksionale dhe vendimmarrje, e jo një cikël tjetër zgjedhor që do ta thellonte edhe më shumë pasigurinë për bizneset dhe ekonominë.

Më tutje thuhet se konstituimi i Kuvendit dhe formimi i Qeverisë janë të domosdoshëm edhe për shkak të agjendës së madhe që e pret vendin në fushën ekonomike.

DHTIK ka identifikuar një numër të madh të ligjeve dhe çështjeve që kërkojnë ndryshim, plotësim apo rregullim të ri, përfshirë Ligjin për Tregti të Brendshme, Ligjin për Falimentim, Ligjin për Miniera dhe Minerale, Ligjin e Punës, Ligjin për Pushimin e Lehonisë, legjislacionin për TVSH-në, Ligjin për Pronën Publike, Ligjin për Investime Strategjike dhe Ligjin për Shoqëritë Tregtare, si dhe një sërë çështjesh të tjera që lidhen drejtpërdrejt me funksionimin dhe konkurrueshmërinë e biznesit.

DHTIK konsideron se këto çështje nuk mund të mbeten të bllokuara për shkak të mungesës së institucioneve, pasi bizneset kanë nevojë për siguri juridike, politika të parashikueshme, lehtësim të barrës administrative dhe fiskale, përkrahje për prodhimin vendor dhe investimet, si dhe një klimë më të favorshme për zhvillim.

“Prandaj, DHTIK u bën thirrje partive politike që ta vendosin interesin e vendit dhe të ekonomisë mbi dallimet politike, të përfundojnë procesin e konstituimit dhe t’u japin qytetarëve dhe komunitetit të biznesit institucione që punojnë dhe marrin përgjegjësi”, thuhet më tej.