Ministria publikon raportin e AUV-it: Yndyrë me karakteristika të vajit të palmës në produkte të VITA-s, çështja i referohet Prokurorisë

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se raporti i analizave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konstatuar praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës në produkte të prodhuara dhe të tregtuara si qumësht nga ABRAZEN Sh.P.K. – Qumështorja VITA. Sipas MBPZHR-së, ky është konstatimi kryesor i analizave…

Lajme

10/08/2026 20:20

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural ka njoftuar se raporti i analizave të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) ka konstatuar praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës në produkte të prodhuara dhe të tregtuara si qumësht nga ABRAZEN Sh.P.K. – Qumështorja VITA.

Sipas MBPZHR-së, ky është konstatimi kryesor i analizave laboratorike: në produkte të tregtuara si qumësht është gjetur yndyrë bimore me karakteristika të vajit të palmës, e cila nuk ishte deklaruar për konsumatorin, shkruan lajmi.net.

Raporti evidenton si “në kundërshtim me deklaracionin” mostrat My Cow – Qumësht 3.2%, My Cow – Qumësht UHT 3.2% dhe Land – Qumësht UHT 3.2%, ku profili i acideve yndyrore ka treguar praninë e yndyrës bimore me karakteristika të vajit të palmës.

Ndërkaq, në produktin Garden Milk 1L është konstatuar prani e yndyrës bimore dhe vajit të palmës, si dhe qumësht pluhur i padeklaruar.

Ministria thekson se rezultatet nuk lidhen vetëm me çështjen e etiketimit, por prekin edhe përbërjen dhe identitetin e produkteve të tregtuara si qumësht.

“Konsumatori që blen një produkt të deklaruar si qumësht duhet të marrë produktin që i është deklaruar. Yndyra bimore me karakteristika të vajit të palmës nuk mund të zëvendësojë yndyrën e qumështit pa u reflektuar në përbërjen, emërtimin dhe deklarimin real të produktit”, thuhet në komunikatën e MBPZHR-së.

Në tërësi, sipas dokumentacionit të shqyrtuar, janë evidentuar 26 produkte të operatorit me përmbajtje të vajit të palmës/yndyrës bimore.

Veçanërisht, ministria thotë se Qumështorja VITA kishte aprovim të AUV-së për aktivitetin e qumështit dhe produkteve të qumështit, ndërsa, sipas dokumentacionit të shqyrtuar, këto 26 produkte nuk kanë qenë të aprovuara apo të autorizuara për këtë aktivitet, ndonëse janë prodhuar dhe plasuar në treg.

Importet e lëndëve të para

MBPZHR ka bërë të ditur se të dhënat për lëndët e para kërkojnë shqyrtim të plotë të proceseve të prodhimit.

Për periudhën 2019–2026, ABRAZEN/VITA rezulton me rreth 3.45 milionë kilogramë qumësht pluhur të koncentruar të importuar, ose rreth 45 për qind të sasisë së evidentuar në këtë kategori.

Për hirrën pluhur evidentohen rreth 1.25 milionë kilogramë, ndërsa të dhënat për vajin e palmës tregojnë importe të konsiderueshme, përfshirë 980,880 kilogramë gjatë vitit 2025.

Sipas ministrisë, natyra, shtrirja dhe përsëritja e këtyre konstatimeve tregojnë për “dështime serioze dhe sistemike në proceset e prodhimit”, ku produkte me përmbajtje të vajit të palmës janë plasuar dhe tregtuar me emërtime të produkteve të qumështit, përfshirë qumësht, djathë dhe gjizë.

Për këtë arsye, MBPZHR thotë se çështja kërkon vlerësimin dhe korrigjimin e të gjithë procesit të prodhimit dhe që objekti dhe aktivitetet përkatëse të vendosen nën mbikëqyrje të vazhdueshme dhe të shtuar të AUV-it.

Ministria kërkon kontrolle, gjurmueshmëri dhe testime të vazhdueshme, si dhe marrjen e masave të nevojshme ligjore dhe korrigjuese deri në eliminimin e këtyre mospërputhjeve dhe rikthimin e dokumentuar të proceseve dhe produkteve në përputhshmëri me kërkesat ligjore.

Kërkohet verifikimi i produkteve të eksportuara

Në komunikatë është ngritur edhe çështja e produkteve të eksportuara.

Dokumentacioni i paraqitur evidenton eksportimin e produkteve të tregtuara si qumësht lope My Cow drejt Maqedonisë së Veriut dhe Malit të Zi, si dhe të qumështit Land drejt Maqedonisë së Veriut.

Sipas MBPZHR-së, kjo merr rëndësi për shkak se analizat laboratorike të AUV-it kanë konstatuar në mostrat përkatëse të My Cow dhe Land yndyrë bimore me karakteristika të vajit të palmës, të padeklaruar në produkt.

Për këtë arsye, ministria kërkon që AUV-ja të verifikojë menjëherë certifikatat veterinare/shëndetësore të eksportit, lotet, sasitë dhe destinacionet e produkteve përkatëse.

AUV-ja duhet të përcaktojë nëse produktet që analizat zyrtare i kanë gjetur me yndyrë bimore me karakteristika të vajit të palmës janë certifikuar për eksport sipas kategorisë së produkteve me prejardhje shtazore.

Nëse konstatohet mospërputhje ndërmjet përbërjes reale dhe kategorisë sipas së cilës produkti është certifikuar, sipas ministrisë, kjo prek jo vetëm operatorin ekonomik, por edhe integritetin e sistemit shtetëror të certifikimit dhe besueshmërinë e produkteve të qumështit dhe bylmetit të Kosovës në tregjet e jashtme.

Çështja i referohet Prokurorisë së Shtetit

Duke marrë parasysh natyrën, shtrirjen dhe seriozitetin e konstatimeve, MBPZHR ka bërë të ditur se çështja do t’i referohet Prokurorisë së Shtetit për vlerësim dhe trajtim në kuadër të kompetencave të saj.

Referimi, sipas ministrisë, nuk paragjykon përgjegjësinë penale, por synon që faktet dhe dokumentacioni i mbledhur të vlerësohen nga organi kompetent dhe, nëse konstatohen elemente të veprës penale, të ndërmerren veprimet e parashikuara me ligj.

“Qëndrimi institucional është i qartë: qumështi duhet të jetë qumësht”, thuhet në komunikatë.

MBPZHR thekson se, pas konstatimeve laboratorike të AUV-it, përgjegjësia institucionale nuk përfundon me rezultatin e analizave, por përfshin identifikimin dhe gjurmimin e produktit deri te loti dhe destinacioni i fundit, marrjen e masave ndaj produkteve të prekura, korrigjimin e proceseve të prodhimit dhe rikthimin e dokumentuar të operatorit në përputhshmëri të plotë me kërkesat ligjore. /Lajmi.net/