Ideja e Vuçiqit për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit, Morina: Është e paimagjinueshme

Kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me ujërat e Kosovës dhe mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhat ujore, janë komentuar nga inxhinieri i hidroteknikës, Mumin Morina. Morina ka thënë se, nga aspekti teknik dhe inxhinierik, është e mundur që brenda territorit të një shteti të ndërtohen vepra hidroteknike që ndikojnë në rrjedhën e një…

Lajme

10/08/2026 20:34

Kërcënimet e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, lidhur me ujërat e Kosovës dhe mundësinë e ndërhyrjes në rrjedhat ujore, janë komentuar nga inxhinieri i hidroteknikës, Mumin Morina.

Morina ka thënë se, nga aspekti teknik dhe inxhinierik, është e mundur që brenda territorit të një shteti të ndërtohen vepra hidroteknike që ndikojnë në rrjedhën e një lumi. Megjithatë, sipas tij, një veprim i tillë në rrethanat aktuale do të ishte i vështirë dhe i papranueshëm për shkak të konventave dhe rregullave ndërkombëtare.

“Në aspektin inxhinierik, teknikisht mund të ndodhë diçka e tillë. Brenda rrjedhës së një lumi, brenda një territori, mund të ketë ndonjë vepër hidroteknike për qëllime të ndryshme. Por, nëse i referohemi situatës aktuale, është e paimagjinueshme që të ndodhë diçka e tillë”, ka deklaruar Morina.

Ai ka theksuar se sot ekzistojnë një numër i madh konventash ndërkombëtare që rregullojnë përdorimin dhe menaxhimin e ujërave ndërkufitare.

“E dimë që rrjedhjet e lumenjve e kanë një burim dhe vazhdojnë mbi bazën e gravitetit. Është e pamundur që të kufizohen në asnjë formë dhe nuk mundemi që këto vepra hidroteknike t’i bëjmë pa marrë parasysh pasojat”, është shprehur ai.

Duke folur për Ujmanin, Morina ka kujtuar se projekti i këtij akumulacioni daton që nga periudha e ish-Jugosllavisë dhe se para ndërtimit janë bërë analiza të shumta teknike.

“Kur është bërë Ujmani, janë bërë analiza të shumta. Projekti e ka zanafillën në kohën e Jugosllavisë dhe nuk është paramenduar që të përdoret në këtë mënyrë apo për të shkaktuar pasoja ndaj një shteti tjetër”, ka thënë Morina.

Sipas tij, çdo ndërhyrje që mund të devijojë apo rrezikojë prurjet ujore drejt një shteti fqinj duhet t’u nënshtrohet rregullave dhe konventave ndërkombëtare.

“Çfarëdo vepre që e devijon apo edhe rrezikon prurjen e ujit të shtetit fqinj duhet të ketë respektim të konventave ndërkombëtare, por duhet të ketë edhe leje nga shteti fqinj”, ka deklaruar ai.

Morina ka shtuar se një projekt i tillë nuk mund të realizohet vetëm mbi bazën e një studimi fizibiliteti, pasi kërkohen edhe vlerësime të tjera, përfshirë studimet për ndikimin në mjedis.

“Nuk mund të merret një studim fizibiliteti pa pasur studime për ndikimin në mjedis. Janë gjëra të kufizuara, pavarësisht fuqisë së atij shteti”, ka përfunduar Morina./dukagjini