Hamza akuzon Kurtin për shkelje të Kushtetutës: Këto janë puro kalkulime politike në dëm të shtetit

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ka thënë se nuk ka pranuar ftesë për takim nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti. “Jo, s’kam pranuar ftesë, edhe për çka ftesë? Për çka me folë? Ne kemi bërë qëndrimin tonë të qartë, domethënë nuk ka qëndrim serioz, nuk ka qëndrim edhe…

Lajme

10/08/2026 18:36

Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, pas mbledhjes së Kryesisë së kësaj partie, ka thënë se nuk ka pranuar ftesë për takim nga kryetari i LVV-së, Albin Kurti.

“Jo, s’kam pranuar ftesë, edhe për çka ftesë? Për çka me folë? Ne kemi bërë qëndrimin tonë të qartë, domethënë nuk ka qëndrim serioz, nuk ka qëndrim edhe nuk ka qëllim me i dhënë vendit institucione”, tha Hamza.

Ai ka akuzuar Kurtin se nuk po e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Kushtetutën.

“Nuk e respekton aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese që është shumë i qartë, që kërkon që brenda 30 ditëve pas certifikimit të rezultatit zgjedhor të konstituohet Kuvendi i Republikës së Kosovës, nuk jep emër, nuk e respekton Kushtetutën”, u shpreh Hamza.

“Është situatë më shumë se serioze, nuk respektohet Kushtetuta e vendit, suspendohet akti më i lartë juridik, nuk respektohet demokracia. Futet vendi në një terren të panjohur në të kaluarën”, tha ai.

Hamza ka paralajmëruar se PDK-ja do të ndërmarrë veprime lidhur me situatën institucionale.

“Ne si Parti Demokratike e Kosovës jemi duke e diskutuar situatën, jemi duke i marrë veprimet e nevojshme. Veprimet do të jenë edhe ligjore, edhe kushtetuese, edhe demokratike në mbrojtje të rendit kushtetues dhe demokracisë në Republikën e Kosovës”, deklaroi ai.

Sipas tij, situata aktuale nuk është dashur të ndodhë.

“Kjo s’ka ndodhur asnjëherë, kjo s’është dashur me ndodhë as tash. Asnjë arsye nuk ka, asnjë pengesë nuk e ka që me bërë propozimin për kryetar të Kuvendit të Kosovës, mirëpo këto janë puro kalkulime të tij politike në dëm të shtetit të Kosovës, në dëm të demokracisë, në mosrespektim të Kushtetutës dhe ligjeve”, tha Hamza.

I pyetur nëse PDK-ja do të marrë pjesë në rast se thirret seanca konstituive, Hamza tha se deputetët e kësaj partie do të veprojnë në përputhje me interesat e vendit.

“Ne jemi deputetë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, ne veprojmë në përputhje me interesat e Republikës së Kosovës”, tha ai.

Duke folur për zhvillimet e fundit, Hamza iu referua edhe rasteve të hedhjes së vezëve dhe gurëve.

“Interesante është që këta kur gjuajnë me vezë, kur e gjuajnë me gurë, kur bëjnë ngjarje, janë në mbrojtje të Republikës së Kosovës. Po në të njëjtën kohë kur këta i gjuan dikush me vezë, prapë janë në mbrojtje të Republikës së Kosovës”, u shpreh ai.

“Ne jemi shumë të kujdesshëm, normalisht edhe të përgjegjshëm për mbrojtjen e Kushtetutës, rendit kushtetues dhe institucioneve të shtetit të Kosovës”, përfundoi Hamza. /Lajmi.net/