Manastiri i Deçanit dhe Ura e Ibrit po lihen në duart e policisë kosovare
Përkujdesja për sigurinë e Urës mbi Ibër dhe në Manastirin e Deçanit do të bartet gradualisht te policia e Kosovës, konfirmoi KFOR-i në dy njoftime të këtij misioni për këto dy pika. KFOR-i bëri të ditur se ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së tij nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë. KFOR-i njoftoi…
Lajme
Përkujdesja për sigurinë e Urës mbi Ibër dhe në Manastirin e Deçanit do të bartet gradualisht te policia e Kosovës, konfirmoi KFOR-i në dy njoftime të këtij misioni për këto dy pika.
KFOR-i bëri të ditur se ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së tij nga ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë.
KFOR-i njoftoi se ky hap po ndërmerret në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë.
“Misioni KFOR, i udhëhequr nga NATO-ja, ka filluar tranzicionin gradual të pranisë së përhershme të KFOR-it nga ura kryesore në Mitrovicë. Në përputhje me përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë, kjo është pjesë e procesit për optimizimin e pozicionimit të KFOR-it”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Më tej në përgjigje të KFOR-it thuhet se ky proces do të jetë gradual, në varësi të kushteve dhe po koordinohet ngushtë me të gjithë aktorët relevantë, përfshirë përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave ndërkombëtare, si dhe me përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
KFOR-i bëri të ditur se edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Millan Mojsilloviq, është informuar rregullisht për këtë proces.
KFOR-i siguroi se personeli i tij është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi relevant, në përputhje me mandatin e kahershëm të KFOR-it nga OKB-ja.
“KFOR-i do të mbajë një prani të dukshme në jug dhe në veri të Mitrovicës dhe në veri të Kosovës, duke vazhduar kontributin e tij për ruajtjen e një mjedisi të sigurt për të gjitha komunitetet”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Më herët, Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR, njoftoi për integrimin gradual të Policisë së Kosovës në sigurinë e Manastirit të Deçanit.
Në njoftimin e KFOR-it thuhet se të hënën ky proces do të zhvillohet në bazë të kushteve të sigurisë.
“Ky proces do të jetë gradual dhe i bazuar në kushtet e sigurisë, dhe po koordinohet ngushtë me një sërë aktorësh, përfshirë përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe dhe institucionet në Kosovë, si dhe përfaqësuesit e Policisë së Kosovës dhe të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë”, thuhet në njoftim.
Sipas KFOR-it, përkushtimi i tij për sigurinë e Manastirit të Deçanit dhe për sigurinë e të gjitha komuniteteve lokale mbetet i palëkundur.
“Personeli ynë është i pozicionuar mirë për t’iu përgjigjur çdo zhvillimi përkatës, në përputhje me mandatin afatgjatë të KFOR-it të bazuar në OKB. KFOR-i mbetet reaguesi i parë për sigurinë e Manastirit të Deçanit”, thuhet më tej në njoftim.
Misioni i NATO-s ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me përfaqësuesit e Kishës Ortodokse Serbe, institucionet e Kosovës, organizatat ndërkombëtare dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, me qëllim ruajtjen e transparencës së ndërsjellë, bashkëpunimit dhe besimit, si dhe shmangien e keqkuptimeve.