Haxhiu pret ambasadorët dhe konsujt e Kosovës: Diplomacia kërkon kohë, besim dhe këmbëngulj

Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se sonte ka mirëpritur në Prishtinë ambasadorët dhe konsujt e Kosovës që shërbejnë në vende të ndryshme të botës. Haxhiu ka thënë se në fjalën e saj i ka falënderuar për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në emër të Kosovës, punë e cila,…

Lajme

09/08/2026 23:32

Presidentja në detyrë e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se sonte ka mirëpritur në Prishtinë ambasadorët dhe konsujt e Kosovës që shërbejnë në vende të ndryshme të botës.

Haxhiu ka thënë se në fjalën e saj i ka falënderuar për punën që bëjnë gjatë gjithë vitit në emër të Kosovës, punë e cila, sipas saj, shpesh nuk shihet menjëherë dhe kërkon durim e këmbëngulje.

Ajo ka theksuar se, në një kohë kur interesat dhe aleancat ndryshojnë shpejt, diplomacia nuk mund të mbështetet vetëm në reagimin e çastit.

“Duhet kohë që njerëzit të të njohin dhe të krijojnë besim, para se të vijë momenti kur ke nevojë për mbështetjen e tyre”, ka shkruar ajo.

Haxhiu ka thënë se për shumë njerëz që Kosovën e njohin nga larg, vendi ende lidhet me luftën, shpalljen e pavarësisë apo me lajmin e fundit që kanë parë.

“Diplomatët tanë punojnë çdo ditë që njohja për Kosovën të mos mbetet aty, por të përfshijë edhe vendin që jemi sot”, ka shtuar e para e shtetit.

Në fund, Haxhiu ka shprehur mirënjohje edhe për familjet e diplomatëve, duke përmendur fëmijët që ndërrojnë shkollë dhe bashkëshortët që përshtatin jetën e tyre në një vend të ri e të panjohur sa herë që ndryshon vendi ku shërbejnë.