Pas deklaratës së Zelenskyt se Ukraina nuk e njeh Kosovën, hiqet nga Prishtina mbishkrimi “Free Ukraine”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me deklaratat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për Kosovën. Rama ka thënë se Kosova duhet të respektohet dhe se Prishtina do të përgjigjet gjithmonë kur shtetësia e vendit nuk respektohet. “Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, Kryeqyteti Prishtina përgjigjet…

Lajme

09/08/2026 12:18

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas zhvillimeve të fundit lidhur me deklaratat e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy për Kosovën.

Rama ka thënë se Kosova duhet të respektohet dhe se Prishtina do të përgjigjet gjithmonë kur shtetësia e vendit nuk respektohet.

“Shteti i Kosovës duhet të respektohet. Kur Kosova nuk respektohet, Kryeqyteti Prishtina përgjigjet gjithmonë njëjtë”, ka shkruar Rama në një postim.

Ai ka theksuar se Kosova do të vazhdojë të jetë solidare me popujt që përballen me luftë, dhunë dhe persekutim.

“Empatia dhe solidariteti ynë do të jenë gjithmonë me popujt që përballen me luftë, dhunë e persekutim. Sepse ne, më mirë se shumë të tjerë, e dimë çfarë do të thotë të luftosh për liri, dinjitet dhe të drejtën për të ekzistuar si shtet”, ka deklaruar ai.

Rama ka shtuar se solidariteti me një kauzë nuk mund të nënkuptojë nënçmimin e shtetësisë së Kosovës dhe sakrificës së popullit të saj.

“Por asnjë kauzë dhe asnjë politikë nuk mund të ndërtohet duke nënçmuar shtetësinë e Kosovës dhe sakrificën e popullit të saj”, ka shkruar kryetari i Prishtinës. /Lajmi.net/