Shqipëria i përgjigjet deklaratës së Zelenskyt për Kosovën: Pavarësia e saj qëndron mbi themelet e veta historike, politike dhe ligjore

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Beograd dhe deklaratës së tij se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës. Në reagimin e saj, diplomacia shqiptare e ka cilësuar të rëndësishme vizitën e Zelenskyt në Serbi, duke theksuar se dialogu është gjithmonë i…

Lajme

09/08/2026 11:30

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar pas vizitës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, në Beograd dhe deklaratës së tij se Ukraina nuk e ndryshon qëndrimin ndaj Kosovës.

Në reagimin e saj, diplomacia shqiptare e ka cilësuar të rëndësishme vizitën e Zelenskyt në Serbi, duke theksuar se dialogu është gjithmonë i mirëpritur, veçanërisht kur ai krijon hapësirë për trajtimin e çështjeve të vështira me qartësi, përgjegjësi dhe ndjenjë historie.

Megjithatë, Shqipëria ka bërë të qartë se qëndrimi i saj ndaj Kosovës mbetet i palëkundur.

“Ashtu siç Shqipëria qëndron, dhe do të vazhdojë të qëndrojë, fort pranë sovranitetit, pavarësisë, integritetit territorial dhe të ardhmes evropiane të Ukrainës, ne qëndrojmë po aq fort pranë sovranitetit, pavarësisë dhe vendit të ligjshëm të Kosovës në familjen euroatlantike”, thuhet në reagim.

Ministria e Jashtme shqiptare ka kundërshtuar çdo përpjekje për të vendosur një paralele mes Kosovës dhe luftës në Ukrainë, duke e cilësuar një qasje të tillë si të gabuar dhe mashtruese.

“Nuk duhet të ketë keqkuptime në këtë pikë: çdo përpjekje për të bërë një paralele ose për të krijuar një ekuacion midis Kosovës dhe çdo situate tjetër ndërkombëtare është e gabuar, oportuniste dhe thellësisht mashtruese”, thuhet më tej.

Sipas Shqipërisë, çështja e Kosovës ka bazat e veta historike, politike dhe ligjore. Në këtë kuadër, diplomacia shqiptare i është referuar edhe opinionit këshillues të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në vitin 2010 kishte konstatuar se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk kishte shkelur të drejtën ndërkombëtare.

Në reagim theksohet se agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës paraqet një situatë krejtësisht tjetër, duke e cilësuar atë si shkelje të rëndë të Kartës së Kombeve të Bashkuara dhe të së drejtës ndërkombëtare.

“Një Ballkan Perëndimor paqësor, i qëndrueshëm dhe evropian kërkon pranimin e realitetit dhe pakthyeshmërisë së pavarësisë së Kosovës”, thekson Ministria e Jashtme e Shqipërisë.

Sipas saj, pavarësia e Kosovës ka kontribuar në stabilitetin rajonal dhe është pjesë e një të ardhmeje ku kufijtë nuk ndryshohen me forcë dhe ku popujt dhe komunitetet mund ta përcaktojnë të ardhmen e tyre në paqe dhe siguri.

Shqipëria ka theksuar gjithashtu se Kosova dhe Serbia i përkasin një të ardhmeje të përbashkët evropiane dhe se normalizimi i marrëdhënieve mes tyre, që në fund do të çonte drejt njohjes së ndërsjellë, do të ishte në interes të të gjithë rajonit.

“Normalizimi i marrëdhënieve të tyre, që në fund të fundit çon në njohje të ndërsjellë, nuk do ta dobësonte Serbinë. Përkundrazi, do të ndihmonte në mbylljen e një prej kapitujve më të dhimbshëm të historisë së kohëve të fundit të rajonit tonë dhe do të hapte rrugën për pajtim të vërtetë, marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe paqe të qëndrueshme”, thuhet në reagim.

Në fund, Tirana e ka vlerësuar si pozitive çdo përpjekje që e ndihmon Serbinë të largohet nga ndikimi i Rusisë dhe t’i afrohet Evropës, duke nënvizuar se Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara dhe jo prapa.

“Ballkani Perëndimor duhet të ecë përpara, jo prapa”, përfundon reagimi i Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë. /Lajmi.net/