Selmanaj godet VV-në: Dikur tentonin ta ndalnin Qeverinë, sot po e ndalin Kosovën

Ish-deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar se po e mban Kosovën peng dhe po bllokon funksionimin e institucioneve. Selmanaj ka shkruar në Facebook, se gjatë kohës kur ishte zëvendëskryeministër, Vetëvendosja kishte bërë, sipas tij, gjithçka për ta sabotuar punën e Qeverisë. “Dikur tentonin ta ndalnin Qeverinë. Sot po…

Lajme

08/08/2026 18:09

Ish-deputeti i LDK-së, Driton Selmanaj, ka reaguar ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, duke e akuzuar se po e mban Kosovën peng dhe po bllokon funksionimin e institucioneve.

Selmanaj ka shkruar në Facebook, se gjatë kohës kur ishte zëvendëskryeministër, Vetëvendosja kishte bërë, sipas tij, gjithçka për ta sabotuar punën e Qeverisë.

“Dikur tentonin ta ndalnin Qeverinë. Sot po e ndalin Kosovën.Sa isha zëvendëskryeministër i Kosovës, kjo parti bënte gjithçka për ta sabotuar punën e Qeverisë. Shpifte, shpikte kauza dhe prodhonte kriza artificiale, vetëm që të ndalte zhvillimin e vendit. Sot, ironia është edhe më e madhe: i kanë votat, e kanë numrin e mjaftueshëm për ta zgjedhur Kryetarin e Kuvendit dhe për ta formuar Qeverinë ”, ka shkruar Selmanaj.

Ai ka akuzuar Vetëvendosjen se në të kaluarën kishte shpifur, shpikur kauza dhe prodhuar kriza artificiale, ndërsa sot, sipas tij, pavarësisht se i ka votat dhe numrat e nevojshëm për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë, po e bllokon procesin.

“Në vend të përgjegjësisë – shantazh. Në vend të transparencës – manipulim. Në vend të qeverisjes demokratike – kapje totale e shteti. Në vend të institucioneve funksionale – bllokadë. Dikur na akuzonin se po e pengonim Kosovën. Sot, kur e kanë mandatin dhe numrat për ta qeverisur vendin, janë pikërisht ata që tash e dy vite po e mbajnë vendin peng. Dy vite bllokadë nuk janë qeverisje. Janë dështim”.

“Kosova nuk ka nevojë për kriza të prodhuara politikisht, për arrogancë dhe për lojëra me institucionet. Kosova ka nevojë për përgjegjësi, punë dhe respekt për vullnetin e qytetarëve. Lëvizja Vetëvendosje e ka pasur mundësinë ta dëshmojë veten në qeverisje. Por ajo që ka treguar është se është kthyer në pengesë serioze për funksionimin e shtetit dhe të demokracisë. Kosova meriton më shumë. Shumë më shumë”, shkroi Selmanaj.