Haxhiu: Edhe VV ka hedhur vezë, por nuk është situatë e krahasueshme
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka komentuar incidentin e fundit në Kuvend, ku deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, hodhi vezë ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti. Haxhiu ka thënë se nuk ka problem me aksionet e deputetëve, duke përmendur edhe veprimet e mëhershme të Lëvizjes Vetëvendosje, si brenda ashtu edhe jashtë…
Lajme
Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka komentuar incidentin e fundit në Kuvend, ku deputetja e Aleancës, Time Kadriaj, hodhi vezë ndaj kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Haxhiu ka thënë se nuk ka problem me aksionet e deputetëve, duke përmendur edhe veprimet e mëhershme të Lëvizjes Vetëvendosje, si brenda ashtu edhe jashtë Kuvendit.
“Nuk kam asnjë problem me një aksion të një deputeteje, siç ishte rasti i zonjës Time Kadriaj, por do të shtoja se LVV-ja që nga themelimi i saj, qoftë jashtë Kuvendit, qoftë brenda Kuvendit, ka ndërmarrë veprime apo aksione kushtetuese për shkak të kauzave që i ka pasur në vazhdimësi”, ka deklaruar Haxhiu.
Ajo ka përmendur hedhjen e vezëve si një nga format e protestës që, sipas saj, është përdorur më herët nga LVV-ja për të kundërshtuar çështje të ndryshme politike.
“Kujtoj që këtu janë hedhur vezët për të kundërshtuar Gjykatën Speciale, demarkacionin me Malin e Zi, Zajednicën e shumë të tjera të dëmshme në të kaluarën. Andaj nuk mendoj që është situatë e krahasueshme. Nëse dëshironi ta bëni, lirisht mund të bëni një gjë të tillë”, është shprehur ajo.
Haxhiu ka thënë se nuk ndihet e shqetësuar nga këto veprime dhe se i konsideron ato si aksione protestuese, ndërsa vlerësimin për to, sipas saj, duhet ta bëjnë qytetarët.