Gjini tregon letrën që ia kthej Kurtit: Qëndrimet e Aleancës tashmë dihen – nuk shoh asnjë nevojë që të takohemi për këtë çështje

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i ka dërguar letër kreut të Aleancës, Ardian Gjini, për takim rreth formimit të institucioneve. Në këtë letër Kurti i ka thënë Gjinit se dëshiron të takohet me të për të premten në orën 16:00 në Zyrën e Kryeministrit, por shton se “në mbrëmje mund të vij unë në Gjakovë”,…

Lajme

07/08/2026 17:03

Kryetari i LVV-së, Albin Kurti, i ka dërguar letër kreut të Aleancës, Ardian Gjini, për takim rreth formimit të institucioneve.

Në këtë letër Kurti i ka thënë Gjinit se dëshiron të takohet me të për të premten në orën 16:00 në Zyrën e Kryeministrit, por shton se “në mbrëmje mund të vij unë në Gjakovë”, raporton lajmi.net

Duke e arsyetuar kërkesën për takim, deputeti Kurti ndër të tjera thotë se “pluralizmi politik në demokraci është konkurrencë me bashkëpunim”.

E Gjini, në letrën që ia ka kthyer Kurtit e ka refuzuar ftesën për takim, duke i thënë se tashmë dihen qëndrimet e Aleancës dhe të tijat.

“Jam i bindur se ju i dini ato, prandaj nuk shoh asnjë nevojë që të takohemi për këtë çështje”.

“Edhe pse pajtohem se demokracia kërkon bashkëpunim, jam thellësisht i bindur se rruga që ju po e ndiqni është e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën. Shpresoj që këtë ta kuptoni edhe vetë”, shkruan në përgjigjen e Gjinit.

Kreu i Aleancës në fund i tha Kurtit se “këtë mesazh po e kuptoj si tendencë për të radhitur ftesa për takim dhe për ta konsumuar hapësirën për fajësim për mosbashkëpunim”.

Më poshtë letra e Albin Kurtit:

I nderuari Kryetar i Aleancës, Ardian Gjini

Ju uroj të gjithë deputetëve të Aleancës dhënien e betimit dje për përfaqësim me dinjitet të popullit, për kushtetutshmëri e ligjshmëri, në shërbim të interesit publik dhe të drejtave të njeriut. Uroj që punët parlamentare t’ju shkojnë mbarë, dhe sfidat politike t’i kaloni sa më lehtë. Mund të llogarisni çdo herë në komunikim të rregullt dhe bashkëpunim kolegial me ne për të mirën e Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve tanë.

Konstituimi i institucioneve të legjislaturës së 11-të (zgjedhja e Kryetarit dhe e Kryesisë së Kuvendit, zgjedhja e Qeverisë dhe e Presidentit) kërkon bashkëveprim e bashkërendim të të gjithë neve. Pluralizmi politik në demokraci është konkurrencë me bashkëpunim. Andaj ju ftoj që të takohemi sot pasdite në ora 16:00 në Zyren e Kryeministrit. Po ashtu, në mbrëmje mund të vij unë në Gjakovë.

Me shpresë në përgjigje pozitive ju përshëndes.

Me nderime,
Albin Kurti

Përgjigja e Ardian Gjinit:

Pergjigja e Ardianit:

I nderuar kryetar i Vetëvendosjes Albin Kurti,

Qëndrimet e Aleancës dhe të miat në lidhje me konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e Presidentit janë bërë të qarta më shumë se një herë. Jam i bindur se ju i dini ato, prandaj nuk shoh asnjë nevojë që të takohemi për këtë çështje.

Edhe pse pajtohem se demokracia kërkon bashkëpunim, jam thellësisht i bindur se rruga që ju po e ndiqni është e gabuar dhe e dëmshme për Kosovën. Shpresoj që këtë ta kuptoni edhe vetë.

P.S. këtë mesazh po e kuptoj si tendencë për të rradhitur ftesa për takim dhe për ta konsumuar hapësirën për fajësim për mosbashkëpunim.

Me respekt,

Ardian Gjini./Lajmi.net/