“Tre anëtarë prej një familjeje, shumë rëndë” Familja në pritje të trupave të familjarëve që humbën jetën në aksidentin në Gjermani
Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku të enjten në Gjermani, teksa po ktheheshin nga Kosova. Viktimat janë një 63-vjeçar, djali i tij 34-vjeçar dhe nipi 16-vjeçar. Ramzi Aliu, i cili humbi vëllain me djalin e tij dhe nipin, ka treguar se lajmin për aksidentin e ka marrë nga…
Lajme
Tre shtetas të Kosovës kanë humbur jetën në një aksident të rëndë trafiku të enjten në Gjermani, teksa po ktheheshin nga Kosova. Viktimat janë një 63-vjeçar, djali i tij 34-vjeçar dhe nipi 16-vjeçar.
Ramzi Aliu, i cili humbi vëllain me djalin e tij dhe nipin, ka treguar se lajmin për aksidentin e ka marrë nga policia gjermane përmes djalit të tij.
“Lajmin e mora pasi në ora 06:15 kam kontaktuar me ta, kam folur në telefon. E kam provuar më pas në gjysmë të 9-tës, por nuk më lajmëroheshin. Tri telefonata nuk m’i hapën. Pastaj policia atje e ka thirrur djalin tim këtu, në bazë të numrit të telefonit, dhe kështu e morëm vesh”, ka rrëfyer Aliu.
Ai ka thënë se dhimbja është e madhe, pasi në aksident kanë humbur jetën tre anëtarë të së njëjtës familje.
“Më rëndë s’ka. Tre anëtarë prej një familjeje, shumë rëndë. Këta të tre ishin: vëllai 63 vjeç, djali i vëllait 34 vjeç dhe nipi im 16 vjeç”, ka thënë ai.
Aliu ka treguar se komunikimin e fundit me familjarët e kishte pasur pak para aksidentit.
“Komunikimin e fundit e kam pasur në 06:15 fiks. Më kishte thirrur nipi e une ne shitore e nuk ja qela se thash ti kryj kam kohe me pastaj e kam thirr në 06:15. Kam folur me të dhe me vëllain. Rreth 15 minuta para orës 07:00 ka ndodhur ndeshja”, ka deklaruar ai.
Familja ende nuk ka marrë detaje nga autoritetet gjermane për mënyrën se si ka ndodhur aksidenti.
“Policia nuk na ka dhënë asnjë njoftim se si ka ndodhur. As policia atje, as askush. Ende nuk dimë asgjë. Tani djali i vëllait ka shkuar atje bashkë me babain, ndërsa djali im ka shkuar sot me gruan, pasi fëmija është nën 16 vjeç dhe nuk po e lejojnë pa nënshkrimin e babait dhe nënës”, ka thënë Aliu.
Ai ka bërë të ditur se varrimi pritet të bëhet Komogllavë në por ende nuk dihet koha.
“Varrimi do të bëhet në Komogllavë por kohën nuk e dimë akoma, sepse nuk kemi asnjë informatë nga Gjermania”, ka përfunduar ai.