Dështon sërish mbledhja e KGjK-së pas bojkotimit nga 5 anëtarë- Rrustem Thaqi thotë se “s’ka asnjë vendim të këshillit për pushim kolektiv”
Këshilli Gjyqësorë i Kosovës është paraparë që sot të zhvillojë takimin e radhës. Por kjo mbledhje nuk është duke u zhvilluar në përbërjen e plotë të Këshillit, kjo pasi disa na anëtarët e këtij këshilli kanë zgjedhur që të bojkotojnë takimin. Takimi po zhvillohet pasi javën që shkoi takimi dështoi pasi disa prej anëtarëve vendosën…
Lajme
Këshilli Gjyqësorë i Kosovës është paraparë që sot të zhvillojë takimin e radhës.
Por kjo mbledhje nuk është duke u zhvilluar në përbërjen e plotë të Këshillit, kjo pasi disa na anëtarët e këtij këshilli kanë zgjedhur që të bojkotojnë takimin.
Takimi po zhvillohet pasi javën që shkoi takimi dështoi pasi disa prej anëtarëve vendosën që të lëshojnë takimin dhe të largohen duke mos u pajtuar në “ngutinë” për çështjen e dorëheqjeve të gjyqtarëve serbë 4 vite më parë.
Ishte pikërisht u.d ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu e cila kishte kërkuar që anëtarët e KGjK-së të trajtojnë sa më shpejtë të jetë e mundur këtë çështje.
E anëtarët u shprehën të çuditur se pse kjo çështje nuk u ngrit për diskutim prej sa vitesh e tani kërkohet me nguti.
E mungesën e sotme të anëtarëve e ngriti me shqetësim kryesuesi i Këshillit Gjyqësorë të Kosovës, Rrustem Thaqi.
Thaqi deklaroi se disa nga ta kanë informuar se janë në pushime, por se sipas tij në fakt kjo po bëhet me qëllim bojkoti.
“Kam pranuar pesë njoftime nga pesë anëtarë të KGjK-së përmes të cilave kanë informuar se 4 prej tyre s’do të marrin pjesë në këtë takim dhe ata janë: Besnik Bislimaj, i cili ka njoftuar se s’do të marrë pjesë për shkak të një ahengu familjar. Afërdita Bytyqi e cila njoftoi se është në pushim vjetor, gjyqtari Ahmet Imami i cili edhe pse ka thënë që nuk do të marrë pjesë është kyçur online, Bashkim Hyseni gjyqtari ka njoftuar se s’do të marrë pjesë në takim shkaku që është në pushim mjekësorë për arsye shëndetësore dhe i është bashkëngjitur thirrjes për shtyrje të këtij takimi dhe Fahret Vellija nuk është pjesëmarrës në këtë takim. Gjyqtarja Ivana Milenkoviq s’ka njoftuar për prezencë apo jo prezencë të saj”,deklaroi Thaqi, transmeton lajmi.net.
Ai tha se në njoftimet e tyre përveç të tjerash është theksuar se caktimi i mbledhjes nuk është në përputhje me orarin e takimeve dhe po ashtu u theksua se KGjK ndodhet në pushim kolektiv dhe kanë përcaktuar se përcaktimi i takimit është e nevojshme të ketë koordinim në mes anëtarëve.
“Kjo mbledhje është caktuar para se gjithash si pasojë e bojkotimit të mbledhjeve nga anëtarët që ka pamundësuar trajtimin e çështjeve me rëndësi. S’ka asnjë vendim të këshillit për pushim kolektiv.Këshilli ndodhet në vonesa, sidomos në themelimin e paneleve disiplinore, zgjedhja e zv/kryesuesit dhe trajtimin e çështjeve të tjera me rëndësi.Asnjë nga anëtarët të cilët mungojnë nuk ka paraqitur kërkesë për pushim tek kryesuesi, nuk kanë koordinuar pushimin me kryesuesin dhe nuk kanë njoftuar se ndodhen në pushim”,deklaroi ai.
Këshilli lejon diskutimin e debatin, por jo edhe të bëhen veprime të tilla.
“Nuk mund të lejohet sjellja e tillë ku pjesëmarrja në mbledhje trajtohet si aktivitet i lirë ndërkohë që ne kemi përgjegjësi të nivelit të lartë dhe paguhemi nga taksat e qytetarëve.
Ne jemi të vetëdijshëm se çdo anëtarë është i legjitimuar për të përfaqësuar zërin e tyre në këtë ligj, por jo edhe për të bojkotuar përgjegjësitë kushtetuese e ligjore. Ne kemi zgjedhur e konkurruar për tu përballur me tema të tilla.Andaj qasja jonë duhet të jetë serioze e transparente. Këtu s’mund të imponohet vullneti me bojkote, sepse vendimmarrja është kolegjiale dhe tërësisht e lirë.”,tha ai.
Në fund kryesuesi mbylli mbledhjen.
“Prandaj mos pjesëmarrja e anëtarëve të Këshillit në këtë takim është në kundërshtim me aktet me të cilat rregullohet funksionimi i KGjK-së dhe si shkak i mungesës së korumit ky takim nuk mund të mbahet, për takimin e radhës do njoftoheni me kohë”.
Kujtojmë se u.d Presidentja Albulena Haxhiu përmes një letre të dërguar më 19 qershor 2026 tek kryesuesi i KGJK-së, Rrustem Thaqi, kishte kërkuar që Këshilli t’i japë epilog çështjes së dorëheqjeve të ofruara nga gjyqtarët dhe stafi mbështetës i komunitetit serb brenda sistemit gjyqësor të Kosovës.
“Mbajtja pezull e këtyre pozitave për një periudhë kaq të gjatë cenon sigurinë juridike, pengon funksionimin e plotë të sistemit të drejtësisë dhe ndikon në efikasitetin e institucioneve përgjegjëse”, thuhej ndër të tjera në letër.
Në anën tjetër, Këshilli Prokurorial i Kosovës në takimin e mbajtur më 20 korrik 2026 ka refuzuar tërheqjen e dorëheqjeve të prokurorëve dhe stafit mbështetës serb brenda sistemit prokurorial, duke i dërguar tek u.d Presidentja për lirim nga detyra.
Haxhiu një ditë më pas (21 korrik) njoftoi se ka nënshkruar dekretet për lirim nga detyra të shtatë prokurorëve serb, të cilët kishin ofruar dorëheqjet më 2022.
Vendimi i KPK-së dhe Haxhiut, Bashkimi Evropian ka vlerësuar se janë në kundërshtim me ligjin.
“BE-ja është e shqetësuar nga vendimi i djeshëm i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) për të pranuar dorëheqjet që ishin tërhequr tashmë dhe nga vendimi i sotëm i ushtrueses së detyrës së Presidentes, që dekretoi dorëheqjet. Kjo duket se nuk është në përputhje me ligjin, me procedurën e rregullt ligjore dhe me kërkesat e përgjithshme të sundimit të ligjit në Kosovë. BE-ja u bën thirrje të gjitha institucioneve përkatëse që të përmbahen nga veprimet që synojnë pengimin e riintegrimit të personelit gjyqësor serb të Kosovës”, thuhej në reagim./Lajmi.net/
