“Vetura përfundoi në hekurudhë” – Mediat gjermane zbardhin detaje nga aksidenti tragjik ku vdiqën tre persona

Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mëngjesin e sotëm Gjermaninë, ku tre persona kanë humbur jetën pasi një veturë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në afërsi të një linje hekurudhore. Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse viktimat janë të njëjtët mërgimtarë nga Kosova për të cilët është raportuar më herët, por mediat…

Lajme

06/08/2026 23:34

Një aksident i rëndë trafiku ka tronditur mëngjesin e sotëm Gjermaninë, ku tre persona kanë humbur jetën pasi një veturë ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në afërsi të një linje hekurudhore.

Ende nuk është konfirmuar zyrtarisht nëse viktimat janë të njëjtët mërgimtarë nga Kosova për të cilët është raportuar më herët, por mediat gjermane kanë bërë të ditur se aksidenti ka ndodhur në autostradën A3, pranë Nittendorfit në distriktin e Regensburgut.

Sipas raportimeve të “Bayerischer Rundfunk”, vetura që po udhëtonte në drejtim të Nurembergut ka dalë nga autostrada për shkaqe ende të panjohura dhe ka rënë poshtë një pjerrësie, duke u përplasur fillimisht me shinat e hekurudhës që kalon nën autostradë.

“Automjeti u rrëzua me shpejtësi poshtë një argjinature, duke u përplasur fillimisht në binarët e linjës hekurudhore”, ka deklaruar një zëdhënës i policisë.

Tre personat që ndodheshin në veturë nuk kanë mundur t’u mbijetojnë plagëve të marra. Sipas autoriteteve, nxjerrja e tyre nga automjeti ka qenë e vështirë dhe është nevojitur ndërhyrja me vinç.

Për shkak të dëmtimit të linjës hekurudhore, një tren me rreth 80 pasagjerë është evakuuar dhe udhëtarët janë transferuar në një tren tjetër.

Ndërkohë, autostrada në drejtimin Regensburg–Nuremberg ka mbetur e mbyllur për disa orë, ndërsa hetimet për të zbardhur shkaqet e aksidentit janë duke vazhduar.

Policia ka bërë të ditur se ende nuk dihet se si ka ndodhur aksidenti, por dyshohet se në të ka qenë e përfshirë vetëm vetura. Për fat të mirë, në momentin e përplasjes nuk kishte tren në atë pjesë të hekurudhës.