Senati amerikan i jep dritën jeshile Eric Wendt për ambasador në Shqipëri, pritet vetëm fjala e Trumpit
Sipas rezultatit zyrtar të publikuar nga Senati amerikan, kandidatura e Wendt u miratua me 50 vota pro dhe 44 kundër. Votimi u zhvillua në seancë plenare të Senatit dhe përbën miratimin përfundimtar të emërimit të tij në postin e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë. Pas votimit të sotëm, hapi i fundit formal mbetet nënshkrimi nga…
Lajme
Sipas rezultatit zyrtar të publikuar nga Senati amerikan, kandidatura e Wendt u miratua me 50 vota pro dhe 44 kundër. Votimi u zhvillua në seancë plenare të Senatit dhe përbën miratimin përfundimtar të emërimit të tij në postin e ambasadorit të SHBA-së në Tiranë.
Pas votimit të sotëm, hapi i fundit formal mbetet nënshkrimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, i cili do të finalizojë emërimin e Wendt si ambasador të SHBA-së në Shqipëri.
Kush është Eric P. Wendt?
Eric P. Wendt ka shërbyer si oficer aktiv në Ushtrinë Amerikane që nga viti 1986. Që nga viti 1991, ai është pjesë e forcave speciale amerikane, të njohura si “Green Berets”, duke ndërtuar një karrierë të gjatë në operacionet speciale.
Pas sulmeve të 11 shtatorit 2001, Wendt ka marrë pjesë në disa misione të rëndësishme ndërkombëtare. Ai ka shërbyer në Indonezi si drejtues ekipi për Komandën e Paqësorit të SHBA-së, si dhe në operacione ushtarake, përfshirë operacionin “Liria e Qëndrueshme” në Filipine, operacionin “Liria e Irakut” në Irak dhe operacionin “Liria e Qëndrueshme” në Afganistan.
Gjatë karrierës së tij, ai ka mbajtur disa pozita të rëndësishme drejtuese, përfshirë rolin e ndihmësit kryesor ushtarak të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes. Wendt ka komanduar në nivele të ndryshme të forcave speciale, nga njësitë e vogla operative deri te komandat e mëdha rajonale të operacioneve speciale.
Ai flet gjuhën arabe dhe koreane dhe është dekoruar me një sërë vlerësimesh ndërkombëtare dhe ushtarake, përfshirë Kryqin e Artë të Nderit të Gjermanisë për shërbimin në Afganistan, vlerësimin presidencial nga Filipinet dhe medalje nga Koreja e Jugut.
Gjithashtu, ai është nderuar me disa insigna elitare ushtarake, përfshirë distinktivin e sulmeve ajrore, atë të parashutistit të avancuar, distinktivin “Ranger”, distinktivin e forcave speciale dhe atë të këmbësorisë luftarake.
Në nëntor të vitit 2017, Wendt mori detyrën si Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, ku luajti rol në koordinimin e çështjeve të sigurisë në rajon.