Vuçiq flet si Millosheviqi, me retorikë kundër Kosovës dhe NATO-s
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ceremonisë së shënimit të Ditës së Përkujtimit për serbët e vrarë dhe të dëbuar në operacionin ushtarak kroat “Stuhia” (Oluja), përdori akuzat e kritikat që i bën herë pas here karshi Perëndimit, duke rikthyer narrativën e njohur të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq. Duke folur në Mrkonjiq Grad, Vuçiq Vuçiq…
Lajme
Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, gjatë ceremonisë së shënimit të Ditës së Përkujtimit për serbët e vrarë dhe të dëbuar në operacionin ushtarak kroat “Stuhia” (Oluja), përdori akuzat e kritikat që i bën herë pas here karshi Perëndimit, duke rikthyer narrativën e njohur të ish-presidentit serb, Sllobodan Millosheviq.
Duke folur në Mrkonjiq Grad, Vuçiq Vuçiq përsëriti narrativën e njohur të regjimit të Millosheviqit, duke mohuar përgjegjësinë e Serbisë për luftërat në ish-Jugosllavi, duke i paraqitur serbët ekskluzivisht si viktima dhe duke fajësuar Perëndimin për ngjarjet e viteve 1990. Derisa tha se Serbia nuk do të lejojë më kurrë që të përsëritet “Stuhia” dhe pretendoi se vendi është mjaftueshëm i fortë për ta mbrojtur popullin serb.
Sipas deklaratave të tij të publikuara nga mediat e rajonit, ai përsëriti pretendimet se serbët nuk ishin përgjegjës për shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, duke akuzuar Kroacinë dhe duke thënë se serbët vetëm kanë dashur të mbrojnë shtetin e përbashkët dhe të qëndrojnë në vatrat e tyre, transmeton KosovaPress.
Në fjalimin e tij, Vuçiq akuzoi vendet perëndimore se i kanë ofruar mbështetje politike, ushtarake dhe logjistike Kroacisë gjatë operacionit “Stuhia”, duke përmendur Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet evropiane. Ai tha se Republika Serbe e Krajinës ishte sulmuar “nga i gjithë bota”, ndërsa kërkoi falje për, siç u shpreh ai, paaftësinë e Serbisë për t’i mbrojtur serbët e dëbuar.
Retorika e presidentit serb u shoqërua edhe me deklarata të liderit të Republikës Sërpska, Millorad Dodik, i cili pretendoi se operacioni “Stuhia” ishte “gjenocid dhe spastrim etnik”, ndërsa akuzoi Bashkimin Evropian për politika kundër serbëve.
Në ceremoni foli edhe deputeti malazez Milan Knezheviq, i cili sulmoi autoritetet e Malit të Zi për pjesëmarrjen në ceremoninë e shënimit të operacionit “Stuhia” në Zagreb.
Operacioni ushtarak kroat “Stuhia”, i zhvilluar në gusht të vitit 1995, i dha fund ekzistencës së entitetit të vetëshpallur serb në Kroaci dhe konsiderohet nga Kroacia si operacion çlirimtar, ndërsa Serbia e përkujton si një ngjarje të dëbimit masiv të serbëve. Në fjalimin e tij, Vuçiq përdori një narrativë të ngjashme me atë të viteve të nëntëdhjeta, duke fajësuar Perëndimin dhe duke paraqitur serbët gjoja si viktimë të politikave ndërkombëtare.