Gjilani nis fazën intensive të ndërtimit të bulevardit të ri, projekti kap vlerën rreth 18 milionë euro

Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit, Flakron Rexhepi, ka bërë të ditur se projekti i bulevardit të ri në këtë komunë ka kaluar në fazën intensive të ndërtimit. Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Rexhepi ka thënë se pas përfundimit të ndërhyrjeve të para infrastrukturore dhe përgatitjeve…

Lajme

06/08/2026 13:32

Drejtori i Drejtorisë për Urbanizëm, Planifikim dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Gjilanit, Flakron Rexhepi, ka bërë të ditur se projekti i bulevardit të ri në këtë komunë ka kaluar në fazën intensive të ndërtimit.

Përmes një njoftimi në rrjetet sociale, Rexhepi ka thënë se pas përfundimit të ndërhyrjeve të para infrastrukturore dhe përgatitjeve të nevojshme, projekti po vazhdon me ritëm të shtuar në terren, shkruan lajmi.net.

“Transformimi më i madh urban në historinë e Gjilanit po vazhdon me një dinamikë të jashtëzakonshme në terren”, ka shkruar Rexhepi.

Sipas tij, Drejtoria e Urbanizmit ka përmbyllur koordinimet administrative dhe teknike, në mënyrë që projekti të zhvillohet sipas planit të paraparë.

Ai ka bërë të ditur se investimi kap vlerën rreth 18 milionë euro dhe synon krijimin e një hapësire moderne urbane me gjelbërim, parkingje nëntokësore dhe infrastrukturë të standardeve evropiane.

“Ky investim prej rreth 18 milionë euro është dëshmi e zotimit tonë për një Gjilan modern, me hapësira të gjelbra, parkingje nëntokësore dhe infrastrukturë të nivelit evropian”, ka deklaruar Rexhepi.

Ai ka falënderuar ekipin e Drejtorisë së Urbanizmit për, siç ka thënë, menaxhimin e procesit, ndërsa ka shtuar se pavarësisht kritikave politike, puna për realizimin e projektit do të vazhdojë.

“Përkundër tentativave të vazhdueshme politike për të krijuar zhurmë artificiale, përgjigja jonë mbetet e njëjtë: punë e pandalshme, standarde të larta dhe vendosmëri për të realizuar projektin që qytetarët e Gjilanit e kanë pritur me dekada”, ka shkruar Rexhepi. /Lajmi.net/