Pas shpalljes “non grata” nga Tirana, Bekir Halimi pret konfirmim zyrtar nga ambasada e Maqedonisë së Veriut
Ministria e Brendshme ka vendosur shpalljen “non grata” për dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, Valon Beljën dhe Bekir Halimin, për shkak të veprimtarive të dyshuara në dëm të shtetit shqiptar. Hoxhë Bekir Halimi ka reaguar përmes një komunikimi me gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, duke deklaruar se ende nuk e ka marrë një…
Lajme
Ministria e Brendshme ka vendosur shpalljen “non grata” për dy shtetas të Maqedonisë së Veriut, Valon Beljën dhe Bekir Halimin, për shkak të veprimtarive të dyshuara në dëm të shtetit shqiptar.
Hoxhë Bekir Halimi ka reaguar përmes një komunikimi me gazetaren e Top Channel, Anila Hoxha, duke deklaruar se ende nuk e ka marrë një konfirmim zyrtar për vendimin. Ai tha se këtë informacion do ta verifikojë nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Halimi bëri të ditur gjithashtu se është në pritje të marrjes së nënshtetësisë shqiptare. Deri në përfundimin e këtij procesi, ai theksoi se përgjigjet vetëm përpara ligjeve të shtetit të tij.
Në përgjigje të interesimit të gazetares Anila Hoxha, e cila e pyeti nëse ishte informuar për arsyet e vendimit dhe nëse planifikonte ta kundërshtonte atë, Halimi tha se fillimisht duhet të marrë një konfirmim zyrtar përmes ambasadës së vendit të tij.
Ai sqaroi se angazhimi i tij i fundit në Shqipëri lidhej me një bashkëpunim me Qarkun e Shkodrës, në kuadër të kësaj qeverie, për zhvillimin e një aktiviteti që synonte promovimin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, për kontributin, meritat dhe ndikimin e dhënë në këtë projekt, pritet që së shpejti të pajiset me shtetësi shqiptare.
Halimi deklaroi se, deri në marrjen e saj, ai mbetet subjekt vetëm i ligjeve të shtetit të tij dhe se për këtë arsye po e trajton fillimisht çështjen në komunikim me Ambasadën e Republikës së Maqedonisë së Veriut në Tiranë.
Hoxhë Halimi mohoi të ketë qenë ndonjëherë pjesë ose i afiluar me ndonjë organizatë apo organizim kombëtar ose ndërkombëtar. Ai tha se kjo ka qenë një zgjedhje e vetëdijshme dhe se angazhimi i tij i vetëm ka qenë pjesëmarrja në dy luftërat çlirimtare të UÇK-së, në Kosovë dhe në Maqedoni, gjatë viteve 1998–2001.
Ai shtoi se gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë pjesë e Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë së Veriut, të cilën e cilësoi si institucionin e tij të vetëm përfaqësues. Brenda këtij institucioni, tha Halimi, ka përmbushur dhe vijon të përmbushë të gjitha detyrimet dhe përgjegjësitë e tij si besimtar dhe si hoxhë.
Halimi theksoi se do të vijojë detyrën e tij si hoxhë, duke ndjekur shembullin e pejgamberëve për t’i ftuar njerëzit drejt teuhidit, pra monoteizmit, si dhe për të kundërshtuar dukuritë negative që sjellin pasoja të rënda për individin dhe shoqërinë.
Ai tha se, nisur nga dashuria dhe kujdesi për popullin e tyre, do të vazhdojnë ta ngrenë zërin për këto çështje, duke e konsideruar këtë një detyrim fetar, moral dhe shoqëror.