Foshnja njëvjeçare përfundon në spital me fruth në Kosovë, apel urgjent për vaksinimin e fëmijëve
Aktivistja feministe dhe shkrimtarja Rreze Abdullahu ka ndarë një postim prekës në Facebook, përmes të cilit ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve, duke rrëfyer rastin e djalit njëvjeçar të një shoqeje të saj, i cili, sipas saj, është infektuar me fruth pas kontaktit dytësor me një fëmijë të prekur nga kjo sëmundje. Abdullahu ka…
Lajme
Aktivistja feministe dhe shkrimtarja Rreze Abdullahu ka ndarë një postim prekës në Facebook, përmes të cilit ka bërë thirrje për vaksinimin e fëmijëve, duke rrëfyer rastin e djalit njëvjeçar të një shoqeje të saj, i cili, sipas saj, është infektuar me fruth pas kontaktit dytësor me një fëmijë të prekur nga kjo sëmundje.
Abdullahu ka bërë të ditur se foshnja është infektuar vetëm duke ndarë të njëjtën hapësirë me një fëmijë të infektuar, ndonëse jo në të njëjtën kohë, por në intervale të afërta kohore.
Ajo përshkruan gjendjen e rëndë shëndetësore të fëmijës, duke thënë se ai është përballur me temperaturë të lartë, ngërçe dhe simptoma që rrezikonin edhe shikimin, ndërsa në momentin kur është realizuar fotografia, po luftonte për të marrë frymë.
“Temperatura e lartë, ngërçet, deri tek simptomat për verbimin e syve janë diçka që nuk e meriton asnjë prind ta përjetojë, veçanërisht kur është diçka që mund të parandalohet”, ka shkruar ajo.
Në reagimin e saj, Abdullahu ka shprehur mbështetje për nënën e fëmijës, duke theksuar se asnjë prind nuk duhet të përjetojë situata të tilla për shkak të papërgjegjësisë së të tjerëve.
Ajo ka kërkuar gjithashtu masa më të ashpra ndaj prindërve që refuzojnë vaksinimin e fëmijëve.
“Masat duhet me u shtrengu në lidhje me familjet dhe prindërit që vendosin mos me i vaksionu fëmijët. Ju lutemi, vaksinoni fëmijët tuaj, shpëtoni ata dhe të tjerët”, ka apeluar Abdullahu në postimin e saj. /Lajmi.net/