Dugolli viziton RTK-në, diskutohet bashkëpunimi për fushata sensibilizuese

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ka vizituar Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku u prit nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla dhe ushtruesja e detyrës së kryeredaktores, Venera Xhoxhaj-Adili. Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në takim u diskutua për rolin e RTK-së në mbështetjen…

Lajme

05/08/2026 15:45

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Enver Dugolli, ka vizituar Radio Televizionin e Kosovës (RTK), ku u prit nga ushtruesi i detyrës së drejtorit të Televizionit të Kosovës, Rilind Gërvalla dhe ushtruesja e detyrës së kryeredaktores, Venera Xhoxhaj-Adili.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, në takim u diskutua për rolin e RTK-së në mbështetjen e institucioneve për përcjelljen e mesazheve sensibilizuese dhe rritjen e vetëdijes së qytetarëve, veçanërisht për parandalimin e zjarreve gjatë sezonit veror.

Po ashtu, bashkëbiseduesit theksuan nevojën për angazhim të vazhdueshëm të transmetuesit publik në fushata që lidhen me sigurinë në trafik, parandalimin e keqpërdorimit të armëve të zjarrit, luftimin e përdorimit të drogave dhe trafikimit me qenie njerëzore.

Sipas njoftimit, drejtuesit e RTK-së shprehën gatishmërinë që këto tema me interes publik të trajtohen përmes skemave programore dhe emisioneve tematike, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme dhe RTK-ja do të bashkëpunojnë në përgatitjen e përmbajtjeve sensibilizuese për parandalimin e këtyre dukurive.

Zëvendësministri Dugolli falënderoi drejtuesit dhe stafin e RTK-së për bashkëpunimin e deritanishëm, duke vlerësuar rolin e transmetuesit publik në informimin, edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për çështje që lidhen me sigurinë dhe interesin publik.