Pesë OJQ nga veriu i Kosovës kërkojnë pezullimin e rrënimeve te Liqeni i Ujmanit

Pesë organizata të shoqërisë civile, të cilat janë selitë në veri të Kosovës, kanë kërkuar pezullimin e rrënimeve të objekteve në zonën e Liqenit të Ujmanit, duke shprehur shqetësim për, siç thonë, mungesën e bazës ligjore, cenimin e së drejtës për mjete juridike dhe mosrespektimin e parimit të proporcionalitetit. Në një deklaratë të përbashkët që…

Lajme

05/08/2026 15:13

Pesë organizata të shoqërisë civile, të cilat janë selitë në veri të Kosovës, kanë kërkuar pezullimin e rrënimeve të objekteve në zonën e Liqenit të Ujmanit, duke shprehur shqetësim për, siç thonë, mungesën e bazës ligjore, cenimin e së drejtës për mjete juridike dhe mosrespektimin e parimit të proporcionalitetit.

Në një deklaratë të përbashkët që ua kanë shpërndarë medieve, organizatat Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC), New Social Initiative (NSI), AKTIV, Institute for Territorial Economic Development (InTER) dhe Center for Affirmative Social Actions (CASA) thonë se, sipas informacioneve që disponojnë, pronarëve të objekteve nuk u janë dorëzuar vendime të organeve kompetente për rrënim, por vetëm njoftime nga ndërmarrja publike “Ibër-Lepenc”.

Sipas tyre, një njoftim i tillë nuk mund të zëvendësojë një vendim formal ndaj të cilit pronarët do të mund të ushtronin të drejtën e ankesës ose mjete të tjera juridike.

Organizatat shprehin shqetësim edhe për asistencën e Policisë së Kosovës gjatë rrënimeve, duke kërkuar sqarime se mbi çfarë baze juridike po ofrohet kjo asistencë dhe cili është akti i ekzekutueshëm që e mundëson atë. Ato ngrenë shqetësime edhe për rrënimin e objekteve ndërkohë që, sipas tyre, në disa raste procedurat gjyqësore ende nuk kanë përfunduar. Si shembull përmendet moteli “Jezero”, për të cilin thuhet se është rrënuar edhe pse seanca në Gjykatën Themelore në Mitrovicë ishte caktuar për 12 gusht.

Në deklaratë thuhet se shumë prej objekteve ekzistojnë prej dekadash dhe se institucionet nuk kanë ndërmarrë veprime për vite me radhë, çka, sipas organizatave, “duhet të merret parasysh në vlerësimin e sigurisë juridike dhe pritshmërive legjitime të pronarëve”.

Organizatat theksojnë se rrënimi i disa objekteve, të cilat shërbejnë si banesa, përbën ndërhyrje në të drejtën për respektimin e shtëpisë, të garantuar me nenin 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

“Mbrojtja e shtëpisë sipas Konventës nuk varet vetëm nga fakti nëse objekti është formalisht i legalizuar, por edhe nga lidhjet reale dhe të vazhdueshme të personit me atë vend”, thuhet në deklaratë, ku shtohet se në rastet e rrënimit duhet të bëhet vlerësim individual i proporcionalitetit dhe i pasojave që një veprim i tillë ka për pronarët dhe familjet e tyre.

Në fund të deklaratës, organizatat kërkojnë zbatim të barabartë të ligjit, duke theksuar se edhe në zona të tjera të mbrojtura, si Liqeni i Batllavës dhe Parku Kombëtar “Sharri”, ekzistojnë objekte për të cilat pronarët kanë ushtruar mjete juridike dhe rrënimet janë pezulluar deri në përfundimin e procedurave gjyqësore. Sipas tyre, këto raste kërkojnë një shpjegim të qartë të kritereve mbi të cilat veprojnë institucionet.

Organizatat i bëjnë thirrje institucioneve që të pezullojnë rrënimet e mëtejshme, të publikojnë vendimet, procesverbalet e inspektimit dhe bazën juridike për asistencën policore, si dhe të dëshmojnë se pronarëve u është garantuar e drejta për mjete juridike dhe është bërë vlerësim individual i proporcionalitetit. Ato kërkojnë gjithashtu hapjen e një dialogu me pronarët e objekteve dhe angazhimin e misioneve ndërkombëtare e përfaqësive diplomatike në Kosovë për gjetjen e një zgjidhjeje që, sipas tyre, do të mbrojë ligjshmërinë, interesin publik, mjedisin dhe të drejtat e pronarëve.

Të gjitha këto organizata njihen si organizata që përfaqësojnë ose punojnë kryesisht me komunitetin serb në Kosovë dhe shpesh dalin me deklarata të përbashkëta për çështje që prekin veriun e vendit. Të njëjtat kishin reaguar edhe më herët në lidhje me rrënimet në Ujman.