Podujeva shpall gjendje emergjente për mbeturinat, Bulliqi: Situata është rënduar, angazhohen kamionë shtesë për pastrimin e qytetit

Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për shkak të përkeqësimit të situatës me menaxhimin e mbeturinave, pasi operatorët përgjegjës nuk kanë arritur të kryejnë bartjen e rregullt të tyre. Vendimi është marrë nga Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe do të jetë në fuqi nga 5 gushti deri më 5 nëntor, me qëllim…

Lajme

05/08/2026 13:26

Komuna e Podujevës ka shpallur gjendje emergjente për shkak të përkeqësimit të situatës me menaxhimin e mbeturinave, pasi operatorët përgjegjës nuk kanë arritur të kryejnë bartjen e rregullt të tyre.

Vendimi është marrë nga Shtabi Emergjent për Mbrojtje dhe Shpëtim dhe do të jetë në fuqi nga 5 gushti deri më 5 nëntor, me qëllim të ndërmarrjes së masave urgjente për normalizimin e gjendjes dhe mbrojtjen e shëndetit publik.

Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i cili kryeson edhe Shtabin Emergjent, tha se problemi me grumbullimin e mbeturinave ka muaj që është përkeqësuar, si në qytet ashtu edhe në fshatra.

Sipas tij, Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi”, për shkak të pamundësisë për të ofruar shërbime në të gjithë territorin, kishte kërkuar më herët të lirohej nga përgjegjësia për fshatrat, ndërsa kjo pjesë e shërbimit i ishte kaluar kompanisë private “Natyra”.

Megjithatë, Bulliqi tha se tashmë probleme ka edhe në zonën urbane, pasi “Pastrimi”, sipas tij, nuk po arrin të ofrojë shërbim të rregullt.

“Ka raste që operon me një kamion, e ka ditë që nuk ofron shërbim fare. Për shkak të kësaj gjendjeje që është krijuar, ku tash i kemi edhe mërgimtarët këtu dhe vëllimi i mbeturinave është rritur, dhe duke pasur parasysh shëndetin e qytetarëve, kam marrë rekomandim nga Drejtoria e Shërbimeve Publike që të shpallim gjendjen emergjente”, ka deklaruar Bulliqi.

Ai bëri të ditur se vendimi është mbështetur në raportet e Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Drejtorisë së Inspeksionit dhe Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, të cilat kanë evidentuar gjendjen e rënduar dhe rrezikun që paraqet grumbullimi i mbeturinave për shëndetin publik.

Në bazë të vendimit, Drejtoria e Shërbimeve Publike, Mbrojtje dhe Shpëtim obligohet të hartojë dhe zbatojë një plan operacional emergjent për organizimin dhe koordinimin e grumbullimit, transportimit dhe largimit të mbeturinave.

Po ashtu, do të iniciohet procedurë e përshpejtuar e prokurimit për sigurimin e tre kamionëve me qira, së bashku me tre vozitës, të cilët do të operojnë në kuadër të KRM “Pastrimi”, me qëllim të përshpejtimit të largimit të mbeturinave të grumbulluara.

Ndërkohë, Drejtoria e Inspeksionit është obliguar të intensifikojë kontrollet në terren, të ndërmarrë masa kundër krijimit të deponive ilegale dhe të sanksionojë çdo shkelje që cenon mjedisin.

Vendimi parasheh gjithashtu që Drejtoria për Buxhet dhe Financa të sigurojë mjetet e nevojshme financiare për zbatimin e masave emergjente, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

Komuna e Podujevës ka bërë të ditur se masat e ndërmarra synojnë rikthimin sa më të shpejtë të normalitetit në menaxhimin e mbeturinave dhe parandalimin e rreziqeve për shëndetin e qytetarëve. /Lajmi.net/