IKD dhe OVL e UÇK-së diskutojnë për pensionet e veteranëve dhe mbrojtjen e vlerave të luftës
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së), ku është diskutuar për çështje që lidhen me të drejtat e kategorive të dala nga lufta, zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe nisma të reja ligjore. Sipas një komunikate, në takim morën pjesë…
Lajme
Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka zhvilluar një takim me përfaqësues të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL e UÇK-së), ku është diskutuar për çështje që lidhen me të drejtat e kategorive të dala nga lufta, zbatimin e vendimeve gjyqësore dhe nisma të reja ligjore.
Sipas një komunikate, në takim morën pjesë përfaqësuesit e IKD-së, Ehat Miftaraj dhe Betim Musliu, ndërsa OVL e UÇK-së u përfaqësua nga kryetari Hysni Gucati, nënkryetarët Gazmend Syla dhe Fatmir Sopi, si dhe këshilltari ligjor Gafurr Elshani.
Gjatë takimit u diskutua edhe për ndihmën juridike falas që ofron Qendra për Ndihmë Juridike Falas e IKD-së, si dhe për problemet me të cilat përballen kategoritë e dala nga lufta.
Palët shprehën shqetësim lidhur me moszbatimin e aktgjykimeve nga Departamenti i Pensioneve në kuadër të Ministrisë së Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, për rastet që kanë të bëjnë me pensionet e kategorive të dala nga lufta.
Sipas komunikatës, edhe në rastet kur qytetarëve u është njohur me vendime të formës së prerë e drejta për pension të dyfishtë, ministria vazhdon ta ndërpresë atë duke nxjerrë vendime të reja, të mbështetura në të njëjtat arsye faktike dhe juridike që, sipas IKD-së, tashmë janë shqyrtuar dhe refuzuar nga gjykatat.
“Këto veprime jo vetëm që bien ndesh me autoritetin e vendimeve gjyqësore dhe parimin e çështjes së gjykuar (res judicata), por krijojnë një situatë në të cilën administrata publike, në vend që t’i zbatojë vendimet e gjykatave, i detyron qytetarët të përballen me procedura të përsëritura administrative dhe gjyqësore për të njëjtën çështje”, thuhet në komunikatë.
Gjatë takimit, IKD-ja ka njoftuar përfaqësuesit e OVL-së së UÇK-së edhe për një nismë legjislative qytetare, përmes së cilës synohet ndryshimi i Kodit Penal, me qëllim të sanksionimit penal të moszbatimit të qëllimshëm të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese dhe të përdorimit të parasë publike për përfitime elektorale gjatë periudhave zgjedhore dhe parazgjedhore.
Sipas komunikatës, IKD-ja ka kërkuar mbështetjen e OVL-së së UÇK-së për këtë nismë, ndërsa organizata ka konfirmuar se do ta përkrahë atë.
Po ashtu, palët kanë diskutuar edhe për mbrojtjen e vlerave të luftës së UÇK-së, duke u pajtuar se ato duhet të ruhen përmes inicimit dhe miratimit të një Ligji për Mbrojtjen dhe Ruajtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së. /Lajmi.net/