Prokuroria në Prizren kërkon paraburgim për E.R., i kërkuar me urdhërarreste vendore dhe ndërkombëtare

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se kanë paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren për t’i caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer disa vepra penale dhe ekzistimit të kushteve ligjore për caktimin e kësaj mase. I pandehuri E.R. ka qenë në kërkim mbi…

Lajme

05/08/2026 12:06

Prokuroria Themelore në Prizren, ka njoftuar se kanë paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prizren për t’i caktuar masën e paraburgimit ndaj të pandehurit E.R., për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer disa vepra penale dhe ekzistimit të kushteve ligjore për caktimin e kësaj mase.

I pandehuri E.R. ka qenë në kërkim mbi bazën e dy urdhërarresteve aktive, si dhe ndaj tij kanë qenë të lëshuara letër-rreshtim vendor dhe ndërkombëtar, të nxjerra nga gjykata kompetente me kërkesë të Prokurorisë.

Kërkesa për paraburgim është paraqitur lidhur me procedurat penale që zhvillohen ndaj të pandehurit për veprat penale “Detyrimi” nga neni 328 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 të KPRK-së, “Privimi i kundërligjshëm i lirisë” nga neni 193 paragrafi 4 lidhur me paragrafin 2, nënparagrafin 2.5 dhe nenin 31 të KPRK-së, si dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale në vazhdimësi” nga neni 387 lidhur me nenin 77 paragrafi 1, nënparagrafët 1.1, 1.2, 1.3, 1.4 dhe 1.5 të KPRK-së.

Përveç procedurës penale për të cilën është paraqitur kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit, ndaj të pandehurit E.R., janë në zhvillim edhe procedura të tjera penale në Prokurorinë Themelore në Prizren, përkatësisht në Departamentin për Krime të Rënda dhe Departamentin e Përgjithshëm, si dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës. Këto procedura kanë të bëjnë me dyshimet për kryerjen e veprave penale “Vrasja e rëndë e mbetur në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, duke përfshirë edhe veprën penale “Kanosja” drejtuar ndaj zyrtarëve shtetëror.

Prokuroria vlerëson se në këtë fazë të procedurës penale ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit, duke marrë parasysh se i pandehuri ka qenë për një kohë të gjatë i pakapshëm për organet e drejtësisë, ka qenë subjekt i urdhër arresteve dhe letër-rreshtimit vendor e ndërkombëtar, si dhe ekziston rreziku i ikjes dhe i pengimit të zhvillimit të procedurës penale.

Prokuroria Themelore në Prizren mbetet e përkushtuar në luftimin e kriminalitetit, forcimin e sundimit të ligjit dhe sigurimin që secili person i dyshuar për kryerjen e veprave penale të përgjigjet para organeve të drejtësisë. /Lajmi.net/