Haradinaj: Kurti po tenton ta poshtëroj opozitën – Nuk mendoj që opozita e ndihmon Kosovën duke u bërë pjesë e qeverisjes së VV-së vetëm për përfitime të pushtetit
Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Ramush Haradinaj në një prononcim për media sot ka thënë që rezultati zgjedhur kërkon vendimmarrje të përbashkët, për të formuar institucionet. Ai ka akuzuar Kurtin se po tenton që të gjithë pushtetin vendimmarrës ta mbajë dhe se po synon ta poshtëroje opozitën, transmeton lajmi.net. “Qytetari ka votuar, populli ka votuar,…
Lajme
Deputeti i zgjedhur i Aleancës, Ramush Haradinaj në një prononcim për media sot ka thënë që rezultati zgjedhur kërkon vendimmarrje të përbashkët, për të formuar institucionet.
Ai ka akuzuar Kurtin se po tenton që të gjithë pushtetin vendimmarrës ta mbajë dhe se po synon ta poshtëroje opozitën, transmeton lajmi.net.
“Qytetari ka votuar, populli ka votuar, sot jemi deputetë të zgjedhur. Ky rezultat kërkon bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët. Nuk i ka dhënë një shumicë të duhur partisë fituese dhe, kuptohet, për të arritur në krijimin e institucioneve kërkohet vendimmarrje e përbashkët. Ajo që kemi parë deri tani është një pozicion i tillë që nuk ofron bashkëvendimmarrje ose vendimmarrje të përbashkët, por i është ofruar opozitës për përfitimin e pushtetit, pra me i dhënë përfitime ose pjesëmarrje në pushtet. Kjo nuk e reflekton rezultatin. Dallimi mes numrit të deputetëve, të shqiptarëve po flas, të pozitës dhe opozitës nuk është aq i madh sa që vetëm fituesi i zgjedhjeve të mbajë vendimmarrjet. Për me e thjeshtuar edhe më shumë, nga dy postet e para, në këtë rast kryeministri që është posti kryesor sepse udhëheq qeverinë, ekzekutivin, dhe presidenti, njëri nga të dy postet në bazë të rezultatit zgjedhor i takon opozitës. Ai që ka fituar zgjedhjet, nëse ka logjikë demokratike, e lexon kështu rezultatin e zgjedhjeve”, tha Haradinaj.
Tutje, ish-kryetari i AAK-së u shpreh se beson që opozita mund të ndihmoj në krijimin e institucioneve, por që duhet të ketë bashkëvendimarrje, dhe jo vetëm marrje pjesë në ekzekutiv.
Haradinaj lavdëroi punën e kryetarit të ri të Aleancës, Ardian Gjinit, duke thënë se është kryetar shumë i suksesshëm dhe se po shihen zhvillimet në Gjakovë.
Ish-kryeministri u shpreh se nuk beson se opozita do ta ndihmonte Kosovën duke u bërë pjesë e qeverisjes me Kurtin, por i ndihmon vendit duke u bërë pjesë e vendimmarrjes.
“Bëhet fjalë: a pranon, a e lexon rezultatin udhëheqësi i regjimit si bashkëvendimmarrje apo jo? Nëse nuk e pranon se rezultati është bashkëvendimmarrje, nuk ia ka dhënë qytetari i Kosovës votën për vendimmarrje si i vetëm, për të udhëhequr me të gjitha institucionet e vendit, për të pasur një kontroll absolut. Ia ka zbritur votën, është e vërtetë që përqindje ka, po ia ka zbritur qindra mijëra vota. Nëse ai nuk e lexon kështu, i bie që është e kotë edhe mbajtja e takimeve. Nuk mendoj që opozita e ndihmon Kosovën duke u bërë pjesë e qeverisjes Kurti vetëm për përfitime të pushtetit. Opozita kishte mundur me e ndihmuar Kosovën duke u bërë pjesë e vendimmarrjes. Aleanca nuk synon pra në asnjë variant vetëm përfitimet e pushtetit, por nëse kemi realisht me e ndihmuar Kosovën në krijimin e institucioneve në ndarjen e vendimeve ose në bashkëvendimmarrje, atëherë po.”, u shpreh ai.
Në fund, Haradinaj tha se njëri nga postet kryesore duhet t’i takojë opozitës dhe jo domosdoshmërish posti i presidentit.
“Jo, nuk është presidenti. Njëra. Njëra. Pra në marrëveshje me partinë fituese, mundet partia fituese me të drejtë me kërkuar kryeministrin, por mundet edhe në çfarëdo rruge dikush nga opozita me u bërë kryetar qeverie, sepse ndërtimi i institucioneve nënkupton edhe zgjedhjen e presidentit, dhe është bashkëvendimmarrja. E shihni që tani votat për presidentin janë marrëveshje politike e dy të tretave. Duhet të sqarohet pra a është një situatë e ndarjes së vendimeve, pra nëse bëhet fjalë vetëm për pjesëmarrjen në pushtet kuptohet që nuk kemi pse me u kyçur në diskutime”, përfundoi Haradinaj./lajmi.net/