SHBA-ja dhe Irani shkëmbejnë draftet e para për një marrëveshje
Përpjekjet për të ulur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një etapë të re, pasi të dyja palët kanë nisur shqyrtimin e drafteve të para për një marrëveshje të mundshme. Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, bëri të ditur se është hartuar një tekst fillestar i…
Bota
Përpjekjet për të ulur tensionet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit kanë hyrë në një etapë të re, pasi të dyja palët kanë nisur shqyrtimin e drafteve të para për një marrëveshje të mundshme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed al-Ansari, bëri të ditur se është hartuar një tekst fillestar i marrëveshjes, i cili tashmë u është dorëzuar Uashingtonit dhe Teheranit për vlerësim. Lajmi është raportuar nga Reuters, transmeton lajmi.net.
Katari, së bashku me Omanin, vazhdon të ndërmjetësojë procesin mes dy vendeve, megjithëse kontaktet e drejtpërdrejta ndërmjet SHBA-së dhe Iranit ende mungojnë.
Autoritetet në Doha synojnë që përmes një marrëveshjeje të përkohshme të krijojnë kushtet për rikthimin e palëve në negociata, duke kontribuar njëkohësisht në uljen e tensioneve në Lindjen e Mesme.
Nga ana tjetër, presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se administrata e tij mbetet e hapur për një zgjidhje diplomatike, por ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet progres, SHBA-ja do të shqyrtojë edhe opsione të tjera.
Pavarësisht zhvillimeve, mosmarrëveshjet mbi sigurinë detare, sulmet ndaj anijeve tregtare, tarifat dhe kontrollin e Ngushticës së Hormuzit vazhdojnë të jenë ndër çështjet kryesore që vështirësojnë arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse./lajmi.net/