Arrest shtëpiak për dy të dyshuar në Prizren, dyshohen se përvetësuan mbi 2 mijë euro nga pagesat e pacientëve

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj dy personave të dyshuar për veprën penale “Përvetësimi në detyrë në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi”. Sipas një komunikate të Gjykatës, masa është caktuar ndaj të pandehurve me inicialet Xh.B. dhe B.R., pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë së Shtetit. Arresti shtëpiak…

Lajme

04/08/2026 15:37

Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji ndaj dy personave të dyshuar për veprën penale “Përvetësimi në detyrë në bashkëkryerje dhe në vazhdimësi”.

Sipas një komunikate të Gjykatës, masa është caktuar ndaj të pandehurve me inicialet Xh.B. dhe B.R., pas aprovimit të kërkesës së Prokurorisë së Shtetit.

Arresti shtëpiak do të zgjasë deri më 3 shtator 2026, ndërsa të pandehurve u ndalohet të largohen nga vendbanimi pa lejen e gjykatës dhe të kontaktojnë me persona me të cilët nuk jetojnë ose nuk janë të varur prej tyre.

Gjykata ka bërë të ditur se, nëse të pandehurit e shkelin këtë masë, ndaj tyre mund të caktohet masa e paraburgimit.

Sipas dyshimeve të ngritura deri në këtë fazë të procedurës, gjatë periudhës gusht–nëntor 2024 dhe shkurt–dhjetor 2025, të dyshuarit, gjatë ndërrimit të natës në QKMF-në në Prizren, kanë përvetësuar paratë e arkëtuara nga pagesat e pacientëve për shërbimet shëndetësore.

Sipas hetimeve të deritanishme, Xh.B. dyshohet se ka përvetësuar 1 mijë e 250 euro, ndërsa B.R. dyshohet se ka përvetësuar 1 mijë e 32 euro.

Shuma totale që dyshohet se është përvetësuar arrin në 2 mijë e 282 euro.

Gjykata ka vlerësuar se ekzistojnë kushtet ligjore për caktimin e masës së arrestit shtëpiak, bazuar në provat e mbledhura deri në këtë fazë të hetimeve. /Lajmi.net/