Prokuroria Speciale njofton se po hetohet edhe një lokacion i tretë- Detajet e fundit nga gërmimet në Kalludër e Jabukë të Zubin Potokut

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është deklaruar sot në lidhje me hetimet për varrezat masive që dyshohet të jetë nga lufta në Kosovë. Prokuroria Speciale konfirmon se në koordinim me Policinë e Kosovës, hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut, po vazhdojnë intensivisht. “Deri më tani, tre persona…

Lajme

04/08/2026 15:35

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është deklaruar sot në lidhje me hetimet për varrezat masive që dyshohet të jetë nga lufta në Kosovë.

Prokuroria Speciale konfirmon se në koordinim me Policinë e Kosovës, hetimet lidhur me rastin e krimeve të luftës në komunën e Zubin Potokut, po vazhdojnë intensivisht.

“Deri më tani, tre persona janë arrestuar nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”. Gjatë hetimeve janë kontrolluar disa lokacione. Në fshatin Jabukë janë gjetur mbetje të cilat do t’i nënshtrohen ekzaminimeve mjeko-ligjore dhe analizave të ADN-së për identifikim, ndërsa gërmimet në fshatin Kalludër e Vogël po vazhdojnë”,thuhet në njoftim.

Sipas prokurorisë, aktualisht, hetimet po vazhdojnë në një lokacion të tretë. Prokurorja përgjegjëse ishte në vendngjarje së bashku me hetuesit nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës dhe ekspertët forenzikë për të mbikëqyrur veprimet hetimore.

“Për shkak të fazës së ndjeshme të hetimit, Prokuroria Speciale nuk mund të japë informacione të mëtejshme në këtë moment. Informacione shtesë do të publikohen kur kjo të jetë e mundur pa cenuar hetimin”.

Ndryshe mbi një javë po vazhdojnë gërmimet për varre masive në Kalludër të Vogël dhe në Jabukë të Zubin Potokut.

Ekipet e mjekësisë ligjore, por edhe të policisë dhe hetuesisë edhe gjatë ditës së sotme janë në vendin e ngjarjes, ku po dyshohet edhe për më shumë mbetje kockore me origjinë njerëzore./Lajmi.net/