Gruda: Takimet e Kurtit me partitë janë farsë, synon postin e presidentit ose zgjedhje të reja

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kritikuar takimet e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me partitë politike, duke i cilësuar ato si një “farsë”. Gruda ka deklaruar se, sipas tij, qëllimi i Kurtit është marrja e pozitës së presidentit të vendit, në mënyrë që të krijojë, siç u shpreh…

Lajme

04/08/2026 14:58

Deputeti i zgjedhur i Partisë Demokratike të Kosovës, Përparim Gruda, ka kritikuar takimet e liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, me partitë politike, duke i cilësuar ato si një “farsë”.

Gruda ka deklaruar se, sipas tij, qëllimi i Kurtit është marrja e pozitës së presidentit të vendit, në mënyrë që të krijojë, siç u shpreh ai, “pushtet të plotë”.

“Është totalisht improvizim. Kurti ka për qëllim ta marrë presidentin, që të vendosë pushtet të plotë. Asnjë parti s’duhet ta lejojë këtë”, ka thënë Gruda.

Ai ka pretenduar se në rast se Kurti nuk arrin një marrëveshje për këtë çështje, atëherë mund të ketë një tjetër proces zgjedhor.

“Nëse s’e arrin këtë, do ta çojë vendin në zgjedhje”, ka deklaruar deputeti i zgjedhur i PDK-së.

Gruda ka thënë se PDK e ka kuptuar, sipas tij, këtë qasje të Kurtit dhe për këtë arsye ka vendosur të mos marrë pjesë në takimet e thirrura nga lideri i VV-së.

“PDK e ka kuptuar një improvizim të tillë, prandaj ka vendosur që të mos i shkojë fare në takim”, ka deklaruar ai. /Lajmi.net/