Kuvendi hap dyert për diasporën, bashkatdhetarët mund ta vizitojnë më 10, 11 dhe 12 gusht.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se institucioni më i lartë ligjvënës në vend do të jetë i hapur për vizitorë nga diaspora gjatë datave 10, 11 dhe 12 gusht. Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Haxhiu ka ftuar bashkatdhetarët që gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë të vizitojnë Kuvendin…

Lajme

04/08/2026 13:56

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se institucioni më i lartë ligjvënës në vend do të jetë i hapur për vizitorë nga diaspora gjatë datave 10, 11 dhe 12 gusht.

Përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale, Haxhiu ka ftuar bashkatdhetarët që gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë të vizitojnë Kuvendin dhe të njihen nga afër me mënyrën e funksionimit të tij.

Ajo ka bërë të ditur se vizitorët do të kenë mundësi të hyjnë në sallën e seancave plenare, të shohin hapësirat ku zhvillohen punimet e deputetëve dhe të mësojnë procesin e miratimit të ligjeve, nga diskutimet në komisione deri te votimi në seancë.

“Gjatë këtyre tri ditëve do të keni mundësi ta shihni nga brenda Kuvendin dhe të takoni deputetët e zgjedhur. Nëse keni fëmijë, i merrni me vete, që edhe ata ta njohin Kosovën përmes institucioneve të saj”, ka deklaruar Haxhiu.

Vizitat do të organizohen nga ora 12:00 në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Organizatorët synojnë që kjo nismë të afrojë më shumë diasporën me institucionet shtetërore dhe me proceset demokratike në vend.