Në kërkim për vrasje në tentativë, fajde e privim të lirisë – arrestohet në kufi Egzon Reshani

Policia e Kosovës ka arrestuar Egzon Reshanin, i cili ishte shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale dhe i cili dyshohet se tentoi të largohej drejt Serbisë pasi u ndalua nga zyrtarët policorë në afërsi të vijës kufitare. Për këtë rast kishte raportuar edhe lajmi.net, ndërsa Policia e Kosovës sot ka publikuar komunikatë…

Lajme

04/08/2026 10:58

Policia e Kosovës ka arrestuar Egzon Reshanin, i cili ishte shpallur në kërkim për disa vepra të rënda penale dhe i cili dyshohet se tentoi të largohej drejt Serbisë pasi u ndalua nga zyrtarët policorë në afërsi të vijës kufitare.

Për këtë rast kishte raportuar edhe lajmi.net, ndërsa Policia e Kosovës sot ka publikuar komunikatë me detaje shtesë lidhur me arrestimin e Reshanit dhe veprat penale për të cilat ai kërkohej, shkruan lajmi.net.

Sipas komunikatës së Policisë, rasti ka ndodhur më 3 gusht 2026, pak pas orës 22:00, kur zyrtarët e Policisë Kufitare në SPMK-Muçivërcë, gjatë patrullimit dhe mbikëqyrjes së vijës kufitare në zonën e fshatit Karaqevë e Poshtme, kanë identifikuar një automjet të dyshuar duke lëvizur nga drejtimi i fshatit Breznicë/Serbi në drejtim të territorit të Republikës së Kosovës.

Pas vlerësimit të situatës, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime operative dhe kanë ndaluar automjetin në fshatin Novosellë. Gjatë kontrollit, pasagjeri në automjet, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar t’u shmanget policëve duke ikur me vrap drejt vijës kufitare.

“Pas vlerësimit të situatës, zyrtarët policorë kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme operative me ç’rast automjeti është ndaluar në fshatin Novosellë, ku gjatë kontrollit policor, pasagjeri në automjet, i identifikuar si Egzon Reshani, ka tentuar t’i shmanget zyrtarëve policorë duke u larguar me vrap në drejtim të vijës kufitare, përkatësisht drejt fshatit Breznicë/Serbi”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Sipas Policisë, zyrtarët kanë reaguar menjëherë dhe kanë arritur ta ndalojnë e arrestojnë Reshanin në afërsi të vijës kufitare, duke parandaluar largimin e tij nga territori i Kosovës.

“Zyrtarët policorë kanë reaguar menjëherë dhe, pas veprimeve profesionale, kanë arritur ta ndalojnë dhe arrestojnë të njëjtin në afërsi të vijës kufitare, duke parandaluar largimin e tij nga territori i Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Policia ka bërë të ditur se ndaj Reshanit kishte urdhërarrest aktiv dhe ai kërkohej nga organet e drejtësisë për disa vepra të rënda penale, përfshirë “Vrasje në tentativë”, “Fajde”, “Privim i kundërligjshëm i lirisë” dhe “Detyrim”.

Gjatë kontrollit të të arrestuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një thikë.

“Gjatë kontrollit të të arrestuarit, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe një thikë. Lidhur me këtë është kontaktuar Prokurori kompetent dhe, sipas udhëzimeve të tij, është iniciuar rast për veprën penale ‘Armëmbajtje pa leje’”, thuhet në komunikatë.

Pas përfundimit të procedurave nga Policia Kufitare, Egzon Reshani u është dorëzuar njësive kompetente të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren për vazhdimin e procedurave ligjore sipas urdhërarrestit dhe rasteve për të cilat kërkohej. /Lajmi.net/