“VITA” importuesi më i madh i qumështit pluhur të koncentruar – AUV gjeti edhe vaj palme të padeklaruar

Kompania “VITA” rezulton të jetë importuesi më i madh i qumështit pluhur të koncentruar në Kosovë, sipas të dhënave të prezantuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë konferencës për media mbi kontrollet në sektorin e qumështit. Sipas tabelës së publikuar nga AUV, kompania ABRAZEN SH.P.K. Istog (Qumështorja VITA) ka importuar gjithsej 3,447,590 kilogramë qumësht…

Lajme

04/08/2026 10:46

Kompania “VITA” rezulton të jetë importuesi më i madh i qumështit pluhur të koncentruar në Kosovë, sipas të dhënave të prezantuara nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë gjatë konferencës për media mbi kontrollet në sektorin e qumështit.

Sipas tabelës së publikuar nga AUV, kompania ABRAZEN SH.P.K. Istog (Qumështorja VITA) ka importuar gjithsej 3,447,590 kilogramë qumësht pluhur të koncentruar në periudhën 2022–2026, duke mbuluar 45 për qind të tregut. Vlera e importeve llogaritet në mbi 6.2 milionë euro, raporton lajmi.net

Të dhënat u prezantuan në të njëjtën konferencë ku AUV bëri publike edhe rezultatet e analizave laboratorike të 495 mostrave të marra në kuadër të aksionit të gjerë të kontrolleve në sektorin e qumështit.

Sipas drejtorit të AUV-it, Bekim Hoxha, nga analizat janë identifikuar 93 mospërputhje, ndërsa 46 raste kanë të bëjnë me praninë e vajit të palmës, duke e bërë atë mospërputhjen më të shpeshtë të evidentuar gjatë kontrolleve.

Në listën e detajuar të mostrave me mospërputhje të publikuar nga AUV figurojnë edhe produkte të kompanisë VITA, ku në kolonën “Mospërputhja” shënohet “Vaj palme i detektuar, jo i deklaruar”, që nënkupton se analizat laboratorike kanë konstatuar praninë e vajit të palmës, ndonëse ai nuk ishte i deklaruar në etiketë.

Kontrollet në qumështoren VITA ishin kryer më 2 korrik, kur inspektorët e AUV-it morën mostra të qumështit UHT, qumështit pluhur dhe lëndëve të para për analiza laboratorike. Rezultatet e këtyre analizave u publikuan sot, së bashku me të dhënat për importin e qumështit pluhur dhe mospërputhjet e evidentuara në produktet e qumështit./Lajmi.net/