Takimi Kurti-Abdixhiku, Paçarizi skeptik: Vështirë të ketë marrëveshje

Opinionisti Rrahman Paçarizi ka shprehur skepticizëm se takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të prodhojë një marrëveshje për konstituimin e institucioneve. Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Paçarizi tha se nuk beson se deri në seancën konstituive të 6 gushtit do të arrihet një dakordim…

Lajme

03/08/2026 23:01

Opinionisti Rrahman Paçarizi ka shprehur skepticizëm se takimi ndërmjet kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, do të prodhojë një marrëveshje për konstituimin e institucioneve.

Duke folur në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, Paçarizi tha se nuk beson se deri në seancën konstituive të 6 gushtit do të arrihet një dakordim mes palëve.

“Nuk shoh shumë mundësi, nuk jam shumë i bindur që do të ketë ndonjë zgjidhje, sepse më 6 gusht është mbledhja konstituive e Kuvendit dhe vështirë se do të arrihet një marrëveshje”.

Sipas tij, LDK-ja vështirë se do të heqë dorë nga kërkesa për pozitën e presidentit në këmbim të postit të kryetarit të Kuvendit apo disa ministrive.

“Nuk besoj që LDK do të pranojë një marrëveshje dhe do të heqë dorë nga pozita e presidentit, duke marrë pozitën e kryetarit të Kuvendit. Nëse LDK u qëndron atyre që ka thënë gjithmonë, se është për parime dhe jo me çdo kusht, atëherë parimet dihen se cilat janë”, tha ai në Klan Kosova.

Ndër të tjera, Paçarizi tha se çdo tërheqje e LDK-së nga kërkesa për postin e presidentit mund të ketë pasoja politike për partinë.

“Çfarëdo lëshimi që do të bënte LDK, mendoj se do të ishte fundi i LDK-së në kuptimin që do të humbte rolin që ka në skenën politike të Kosovës”.