Rama: Fushata denigruese ndaj meje dhe familjes do të përfundojë në drejtësi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj, siç e ka quajtur ai, një fushate denigruese dhe linçuese ndaj tij, bashkëpunëtorëve të tij dhe familjes së tij. Rama ka deklaruar se për një periudhë kohore është përballur me sulme politike, por sipas tij, ditët e fundit kjo situatë ka kaluar…

Lajme

03/08/2026 20:05

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar përmes një postimi në Facebook ndaj, siç e ka quajtur ai, një fushate denigruese dhe linçuese ndaj tij, bashkëpunëtorëve të tij dhe familjes së tij.

Rama ka deklaruar se për një periudhë kohore është përballur me sulme politike, por sipas tij, ditët e fundit kjo situatë ka kaluar në një nivel tjetër, duke përfshirë edhe persona që nuk janë pjesë e përplasjes politike.

“Kur një betejë politike zbret në shpifje, fyerje dhe denigrim të familjarëve e njerëzve që nuk janë pjesë e përplasjes politike, nuk kemi më debat demokratik dhe as llogaridhënie. Kemi një përpjekje të vetëdijshme për të frikësuar dhe për të ushtruar presion”, ka shkruar Rama.

Kryetari i kryeqytetit ka thënë se çdo pretendim që lidhet me interesin publik duhet t’u adresohet institucioneve të drejtësisë, duke shtuar se kjo është rruga e vetme në një shtet demokratik.

“Mos e fshihni denigrimin, gjuhën e urrejtjes dhe linçimin prapa pretendimit për interes publik”, ka theksuar ai.

Rama ka kritikuar edhe përdorimin e kësaj çështjeje në debatet politike në Asamblenë Komunale të Prishtinës, duke e cilësuar si një degradim të debatit publik.

“Përfshirja e tyre nuk është llogaridhënie. Nuk është interes publik. Është kalim i çdo kufiri njerëzor, moral dhe institucional”, ka deklaruar ai.

Ai ka bërë të ditur se rasti do të dërgohet në instancat e drejtësisë, me qëllim, siç është shprehur, mbrojtjen e dinjitetit të personave që janë përfshirë në këtë situatë.

“Kushdo që ka marrë pjesë në orkestrimin, nxitjen apo përhapjen e kësaj fushate linçuese dhe denigruese do të identifikohet dhe do të mbajë përgjegjësi para drejtësisë”, ka shkruar Rama.

Në fund të reagimit të tij, kryetari i Prishtinës ka thënë se sulmet ndaj familjarëve dhe personave jashtë debatit politik nuk mund të konsiderohen më si pjesë e një përplasjeje politike.

“Kjo nuk është më politikë. Është çnjerëzore”, ka përfunduar Rama.