ZKA: Sistemi i pensioneve me mangësi serioze, rrezikohen saktësia e pagesave dhe siguria e të dhënave
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar të hënën raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit për Sistemin e Integruar Informativ (SII) për skemat pensionale, duke evidentuar një sërë mangësish në funksionimin e sistemit që menaxhohet nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ). Sipas raportit, sistemi nuk ka arritur të sigurojë…
Lajme
Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka publikuar të hënën raportin e auditimit të teknologjisë së informacionit për Sistemin e Integruar Informativ (SII) për skemat pensionale, duke evidentuar një sërë mangësish në funksionimin e sistemit që menaxhohet nga Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare (MPFVLÇ).
Sipas raportit, sistemi nuk ka arritur të sigurojë integrimin e plotë të skemave pensionale dhe vazhdon të përballet me probleme në zhvillim, cilësinë e të dhënave dhe sigurinë e informacionit.
Auditimi thekson se, ndonëse sistemi është krijuar për të mundësuar përpunim efikas, të saktë dhe transparent të aplikimeve për pension, ai ende nuk ka arritur nivelin e pritshëm të zhvillimit dhe digjitalizimit.
“MPFVLÇ nuk ka arritur të sigurojë zhvillimin dhe integrimin e plotë të sistemit, por zhvillimi është realizuar në mënyrë të fragmentuar, ku vetëm një pjesë e skemave pensionale administrohen në platformën qendrore, ndërsa të tjerat menaxhohen përmes zgjidhjeve të ndara teknologjike”, thuhet në raport.
Sipas ZKA-së, fragmentimi i të dhënave dhe mungesa e digjitalizimit të plotë kanë krijuar rreziqe për cilësinë dhe besueshmërinë e informacionit, pasi një pjesë e dokumentacionit historik vazhdon të ruhet në formë fizike, duke e ngadalësuar procesin e verifikimit.
Raporti evidenton gjithashtu mungesa në kontrollet e aplikacionit, duke bërë që shumë procese të realizohen ende manualisht.
“Mungojnë kontrollet e automatizuara për verifikimin e të dhënave, gjurmimin e vendimeve dhe kontrollin e llogarive bankare të përfituesve, duke rritur rrezikun për gabime, pagesa të pasakta, përfitime të dyfishta dhe mosrespektim të kërkesave ligjore”, vlerëson ZKA.
Auditorët kanë konstatuar edhe dobësi në aspektin e sigurisë së informacionit, duke paralajmëruar se mungesa e politikave të formalizuara për kopjet rezervë, vazhdimësinë e shërbimeve dhe rikuperimin nga fatkeqësitë e bën sistemin më të cenueshëm ndaj keqpërdorimeve dhe ndërprerjeve të mundshme.
Lidhur me gjetjet e auditimit, Auditorja e Përgjithshme, Vlora Spanca, ka kërkuar që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masa për përmirësimin e sistemit.
“Mangësitë e identifikuara nga procesi i auditimit tregojnë se institucionet të cilat administrojnë të dhënat dhe dokumentet për pensionet dhe ofrojnë shërbime përmes Sistemit të Integruar Informativ për skemat pensionale duhet t’i marrin masat e nevojshme për përmirësime të mëtejshme”, ka theksuar Spanca.
Për adresimin e problemeve të evidentuara, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dhënë 23 rekomandime, me synim përmirësimin e funksionimit, sigurisë dhe besueshmërisë së sistemit të skemave pensionale.