IKShPK: 99 raste me fruth në Kosovë që nga prilli, 21 vetëm gjatë javës së fundit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 3 gusht 2026 në Kosovë janë konfirmuar 99 raste me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja. Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, numri më i madh i rasteve është raportuar në…

Lajme

03/08/2026 15:51

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar se gjatë periudhës 16 prill – 3 gusht 2026 në Kosovë janë konfirmuar 99 raste me fruth, ndërsa vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 21 raste të reja.

Sipas të dhënave të publikuara nga IKShPK, numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë, me 33 raste, e pasuar nga Fushë-Kosova me 25 raste, Ferizaj me 12 raste dhe Kaçaniku me 7 raste.

Nga tri raste janë regjistruar në Drenas, Lipjan dhe Obiliq, nga dy raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime dhe Vushtrri, ndërsa nga një rast në Deçan, Graçanicë, Podujevë, Shtërpcë dhe Viti.

IKShPK bën të ditur se krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ishin regjistruar 65 raste, këtë vit është shënuar rritje e numrit të të infektuarve.

“Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraprak (gusht 2025) me 65 raste, këtë vit është vërejtur rritje e numrit të rasteve të konfirmuara me fruth. Ndërsa në periudhën 2021–2024 janë regjistruar gjithsej vetëm tre (3) raste me fruth, të cilat kanë qenë raste të importuara”, thuhet në njoftimin e institutit.

Instituti u ka bërë thirrje qytetarëve që në rast të shfaqjes së simptomave të fruthit të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore.

“Çdo person me simptoma të dyshimta të fruthit, si temperaturë e lartë, skuqje apo ndryshime në lëkurë, kollë, rrufë ose konjuktivit, të paraqitet menjëherë në institucionet më të afërta shëndetësore”, thekson IKShPK.

Po ashtu, IKShPK u ka bërë apel prindërve dhe kujdestarëve që të kontrollojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë imunizimin sipas kalendarit të rregullt.

“Duke pasur parasysh infektueshmërinë e lartë të fruthit, rrezikun e përhapjes së tij në komunitet dhe komplikimet që shkakton fruthi, IKShPK u bën thirrje prindërve dhe kujdestarëve që të verifikojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare. Vaksinimi mbetet masa më efektive dhe më e sigurt për parandalimin e fruthit, mbrojtjen e individëve të pa vaksinuar dhe ruajtjen e shëndetit publik”, thuhet në njoftim. /Lajmi.net/