Kryeprokurori Gashi për gërmimet në Zubin Potok: Kontributi dhe bashkëpunimi i secilit mbeten thelbësore për zbardhjen e këtyre rasteve
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka vlerësuar lart punën profesionale, përkushtimin dhe angazhimin e të gjitha institucioneve ligjzbatuese të Republikës së Kosovës, të cilat janë të përfshira në rastin e zbulimit të varrezave masive në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore dhe dyshohet se ka trupa tjerë të viktimave që i përkasin…
Lajme
Kryeprokurori i Shtetit, Zejnulla Gashi ka vlerësuar lart punën profesionale, përkushtimin dhe angazhimin e të gjitha institucioneve ligjzbatuese të Republikës së Kosovës, të cilat janë të përfshira në rastin e zbulimit të varrezave masive në komunën e Zubin Potokut, ku janë gjetur mbetje mortore dhe dyshohet se ka trupa tjerë të viktimave që i përkasin luftës së fundit në Kosovë.
“Zbulimi i këtyre varrezave masive është një përpjekje dhe angazhim shtetëror për zbardhjen e së vërtetës dhe vendosjen e drejtësisë. Mbi të gjitha, ndriçimi i këtyre rasteve përbën një detyrim institucional dhe ligjor ndaj viktimave dhe familjeve të tyre që prej vitesh presin përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre”,thuhet në njoftimin për media.
Kryeprokurori i Shtetit vlerëson praninë e të gjitha institucioneve dhe qytetarëve në vendin e ngjarjes ku janë gjetur mbetjet mortore. Kontributi dhe bashkëpunimi i secilit kanë qenë dhe mbetët thelbësor për zbardhjen e këtyre rasteve, si dhe për identifikimin e personave përgjegjës të përfshirë në kryerjen e këtyre krimeve me qellim që ata të përballen me drejtësinë./Lajmi.net/