Prishtina ndalon përdorimin e objekteve pa Inspektim Final dhe Certifikatë të Përdorimit

Drejtoria e Inspektoratit të Prishtinës, ka rikujtuar se asnjë objekt nuk mund të vihet në përdorim pa përfundimin e Inspektimit Final dhe pa pajisjen me Certifikatë të Përdorimit. Bazuar në njoftimin e lëshuar, detyrimi vlen për objektet individuale dhe kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, afariste, industriale, publike, si dhe për të gjitha objektet e kategorisë…

Lajme

03/08/2026 14:38

Drejtoria e Inspektoratit të Prishtinës, ka rikujtuar se asnjë objekt nuk mund të vihet në përdorim pa përfundimin e Inspektimit Final dhe pa pajisjen me Certifikatë të Përdorimit.

Bazuar në njoftimin e lëshuar, detyrimi vlen për objektet individuale dhe kolektive të banimit, objektet banesore-afariste, afariste, industriale, publike, si dhe për të gjitha objektet e kategorisë së parë dhe të dytë që janë në kompetencë të Inspektoratit të Ndërtimit të Kryeqytetit.

Inspektorati rikujton se një objekt mund të përdoret vetëm pasi organi kompetent të ketë kryer Inspektimin Final dhe të ketë lëshuar Certifikatën e Përdorimit, e cila konfirmon se objekti është ndërtuar në përputhje me lejen ndërtimore, projektin e miratuar, standardet teknike dhe kërkesat e sigurisë.

Po ashtu, drejtoria ka bërë të ditur se investitorët do të njoftohen individualisht përmes një urdhërese inspektuese para përfundimit të punimeve, me të cilën do të obligohen të mos e vënë objektin në përdorim, të mos ua dorëzojnë banesat apo lokalet shfrytëzuesve, të mos fillojnë aktivitetin ekonomik dhe të mos lejojnë vendosjen e banorëve deri në përfundimin e procedurës së Inspektimit Final.

Drejtoria e Inspektoratit u ka bërë thirrje edhe qytetarëve dhe blerësve që të mos pranojnë në dorëzim banesa, lokale afariste apo objekte të tjera pa Certifikatë të Përdorimit, duke theksuar se mungesa e këtij dokumenti nënkupton se objekti ende nuk është verifikuar zyrtarisht për siguri dhe përputhshmëri me kërkesat ligjore.

Sipas njoftimit, në rast se konstatohet se një objekt është vënë në përdorim në kundërshtim me ligjin, Inspektorati do të ndërmarrë masa që përfshijnë ndërprerjen e menjëhershme të përdorimit të objektit, lirimin e tij deri në pajisjen me Certifikatë të Përdorimit, shqiptimin e gjobave administrative ndaj personave përgjegjës, si dhe inicimin e procedurave të tjera administrative dhe ligjore.

“Drejtoria e Inspektoratit nuk do të tolerojë vënien në përdorim të asnjë objekti në kundërshtim me kërkesat ligjore”, thuhet në njoftim.