Specialja thotë se nuk ka vendim për dorëzaninë e Thaçit: Dorëzaninë prej 50 mijë euro e ofroi njëri nga vëllezërit dhe dy miq të tij

Gjykata Speciale në Hagë, ka mohuar raportimet se kanë refuzuar kërkesën për dorëzani nga ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësja e kësaj Gjykate, Angela Griep ka thënë se nuk ka ende një vendim në lidhje me këtë dorëzani, shkruan lajmi.net. Griep madje i është përgjigjur direkt pyetjes nëse Hashim Thaçit…

Lajme

03/08/2026 13:05

Gjykata Speciale në Hagë, ka mohuar raportimet se kanë refuzuar kërkesën për dorëzani nga ish-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Në një përgjigje për lajmi.net, zëdhënësja e kësaj Gjykate, Angela Griep ka thënë se nuk ka ende një vendim në lidhje me këtë dorëzani, shkruan lajmi.net.

Griep madje i është përgjigjur direkt pyetjes nëse Hashim Thaçit iu refuzua ofrimi i dorëzanisë dhe të njëjtit iu vazhdua paraburgimi. Me këtë rast ajo deklaroi se nuk ka një vendim nëse garancia u pranua apo jo.

“Në këtë fazë, nuk ka ndonjë vendim publik që i përgjigjet pyetjes suaj nëse kjo garanci është pranuar apo jo”, ka thënë Griep.

Ajo ka treguar se këtë garanci e ka ofruar njëri nga vëllezërit e Thaçit dhe dy miq të tij të afërt.

“Sipas parashtresës së mbrojtjes së z. Thaçi, një garanci totale prej 50 mijë eurosh është ofruar nga njëri prej vëllezërve të z. Thaçi dhe dy miq të tij të afërt”, ka thënë zëdhënësja e Gjykatës Speciale në Hagë për lajmi.net.

Ajo ka shtuar se çdo vendim i marrë do të publikohet në ueb-faqen e Dhomave të Specializuara.

Ndryshe KlanKosova sot ka raportuar se kjo dorëzani është refuzuar nga Gjykata Speciale në Hagë. Sipas tyre gjyqtari i vetëm në gjyqin e dytë ndaj Hashim Thaçit, Gosnell ka vendosur që t’ia vazhdojë paraburgimin Thaçit edhe për dy muaj të tjerë, ndonëse e komenton si pozitive garancinë financiare të ofruar nga vëllai dhe dy miq të tij.

“Siguria financiare prej 50,000€ e ofruar nga familja dhe miqtë, subjekt i sekuestrimit në rast të dështimit të pjesëmarrjes në seanca, e minon edhe më një rrezik të tillë (rrezikun e arratisjes)”.

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka ofruar 50 mijë euro dorëzani në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, në përpjekje për t’u liruar me kusht në rastin e dytë, ku akuzohet për tentim të pengimit të administrimit të drejtësisë.

Sipas kërkesës, shuma prej 50 mijë eurosh është siguruar me ndihmën financiare të familjarëve dhe miqve të Thaçit. Gjysma e shumës është ofruar nga njëri prej vëllezërve të tij, ndërsa pjesa tjetër nga dy miq. Mbrojtja ka dorëzuar edhe dëshmi për gjendjen financiare të garantuesve, me qëllim që të bindë gjykatën se shuma ka vlerë reale dhe do të humbej nëse Thaçi do të shkelte kushtet e lirimit.

Në parashtresë argumentohet se nuk ekzistojnë më arsye për vazhdimin e paraburgimit të Thaçit në këtë rast, duke qenë se ai është i vetmi nga të bashkakuzuarit që vazhdon të mbahet në paraburgim.

Nëse lirohet me kusht, Thaçi është zotuar se do të banojë me bashkëshorten dhe djalin e tij në një shtëpi në periferi të Prishtinës dhe do të respektojë të gjitha kushtet që mund t’i vendosë gjykata. Ai ka premtuar gjithashtu se nuk do të kontaktojë asnjë nga të bashkakuzuarit, dëshmitarët apo persona që mund të kenë lidhje me proceset gjyqësore në Dhomat e Specializuara.

Tre të bashkakuzuarit e tij në këtë rast – Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Bashkim Smakaj – ishin liruar më herët me kusht pasi kishin ofruar dorëzani prej gjithsej 130 mijë eurosh dhe kishin pranuar të zbatonin një sërë kushtesh të vendosura nga gjykata.

Ndërkohë, sipas raportimit, edhe ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, ka kërkuar lirim me kusht në rastin kryesor për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, duke argumentuar se shtyrja e shpalljes së aktgjykimit deri më 16 shtator cenon të drejtën e tij për liri dhe jetë familjare. /Lajmi.net/