Gjykata e Apelit vërteton aktgjykimin lirues ndaj të akuzuarit për vrasje në tentativë në një autobus më 2002
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin ishte liruar nga akuza i akuzuari për “Vrasje në tentativë”, Luigj Azizaj. Gjykata Themelore në Mitrovicë më 14 shkurt 2025 kishte shpallur aktgjykimin me të cilin të akuzuarin Azizaj e kishte liruar nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”. Kundër këtij aktgjykimi, kishte parashtruar ankesë…
Lajme
Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, me të cilin ishte liruar nga akuza i akuzuari për “Vrasje në tentativë”, Luigj Azizaj.
Gjykata Themelore në Mitrovicë më 14 shkurt 2025 kishte shpallur aktgjykimin me të cilin të akuzuarin Azizaj e kishte liruar nga akuza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kundër këtij aktgjykimi, kishte parashtruar ankesë Prokuroria Themelore në Mitrovicë, për shkak të shkeljes esenciale të dispozitave të proceudrës peale dhe vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, si dhe për shkak të shkeljes së Ligjit Penal, duke propozuar që lënda të kthehet në rigjykim dhe rivendosje.
Kurse, Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese kishte kërkuar që të aprovohet ankesa e Prokurorisë Themelore.
Gjetjet e Apelit:
Sipas vendimit të Apelit të përpiluar më 24 shkurt 2026, pretendimet lidhur me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale janë të pabazuara sepse aktgjykimi është konkret dhe i qartë, dhe se në arsyetimin e vendimit të Themelores është përshkruar gjendja faktike të cilën e ka vërtetuar kjo Gjykatë.
Në vendimin e Apelit, thuhet se Themelorja ka vërtetuar gjendjen faktike në mënyrë të drejtë dhe të plotë, duke shtuar se me provat e administruara nuk është vërtetuar përtej dyshimit të bazuar mirë se i akuzuari ka kryer veprën penale.
Sipas Apelit, përmes provave të administruara nuk është vërtetuar se i akuzuari në ditën kritike ka tentuar të privojë nga jeta të dëmtuarin, dhe se shkalla e parë ka vepruar drejt kur e ka liruar të akuzuarin nga akuza.
Në vendim të Apelit thuhet se edhe pse me veprimet e të akuzuarit kanë mundur të konsumohen elemente të veprave tjera penale si “Pjesëmarrja në rrahje”, “Rrezikimi me mjet të rrezikshëm gjatë rrahjes” apo “Mbajtja pa leje e armëve”, çdo rast i rikualifikimit të veprave penale të lartcekura do rezultonte në aktgjykim refuzues pasi do të kishte arritur parashkrimi i ndjekjes penale.
Për këto arsye, Apeli vendosi të vërtetojë vendimin e Themelores.
Vendimi është marrë nga kolegji i Apelit i përbërë nga Mentor Hajra- kryetar, si dhe Skender Çocaj dhe Xhevdet Abazi- anëtarë.
Ndryshe, dëshmitarët në këtë rast në seancën e 22 korrikut 2022 kishin deklaruar se nuk iu kujtohen në tërësi detajet e rastit.
Në aktakuzën e Prokurorisë së Qarkut në Mitrovicë, të 5 shkurtit 2007 bashkë me të akuzuarin Azizaj, në pikën e dytë të dispozitivit ngarkohet edhe Alfred Dibrani, për armëmbajtje pa leje (të një spreji gaz helmues).
Për të akuzuarin Dibrani, gjykatësi Radosllav Markoviq kishte konstatuar se procedura për këtë të fundit është pezulluar, për shkak të parashkrimit të veprës penale për të cilën ëshë akuzuar.
Ndryshe, sipas aktakuzës, i pandehuri Luigj Azizaj, më 20 shkurt 2002 në autobusin e NPT “Haxhija Trans” në relacionin Skënderaj – Mitrovicë, me dashje ka filluar kryerjen e veprës penale të vrasjes, por nuk e ka përfunduar pasi që e kanë penguar të pranishmit. Pas një ngatërrese verbale, i pandehuri ka tentuar ta privojë nga jeta Alfred Dibranin, në atë mënyrë që disa herë i ka rënë grushte kokës e pastaj ka nxjerrë thikën dhe ka dashur që ta prejë në fyt.
Në atë moment, thuhet se është penguar nga i pranishmi – kondukteri Ejup Uka i cili ka ndërmjetësuar dhe në atë rast ka pësuar plagosje të lehtë trupore në dorën e djathtë.
Me këtë, ngarkohej se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” nga neni 30 al. 1 të LPK-së lidhur me nenin 19 të LPJ.
Ndërsa, në pikën e dytë të dispozitit, thuhet se i pandehuri Alfred Dibrani, deri më 20 shkurt 2002, në vendin si në pikën e parë të aktakuzës, duke mos pasur më parë leje përkatëse valide të lëshuar nga organi kompetent i administratës, ka përdorur në mënyrë kërcënuese një sprej (gas helmues me mbushje me shtypje), gjatë ngatërresës me të pandehurin e parë.
Me këtë, thuhet se ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontrollë, posedim ose shfrytëzim të paatorizuar të armëve” nga neni 328, par. 1 të KPPK-së.