Komandanti i KFOR-it: Rruga drejt një sigurie të qëndrueshme është politike, jo ushtarake, por mjedisi i sigurisë në veri është aktualisht i qetë

KFOR nuk do të lejojë përsëritje të “incidenteve serioze të sigurisë në veri të Kosovës” si ai në Banjskë e as “sulme të pajustifikueshme” ndaj paqeruajtësve të NATO-s si ato që ndodhen në Zveçan, më 2023. KFOR nuk u vonua në lidhje me Banjskën e as nuk dështoi të mbledhë informacione inteligjente për atë që…

Lajme

03/08/2026 09:25

KFOR nuk do të lejojë përsëritje të “incidenteve serioze të sigurisë në veri të Kosovës” si ai në Banjskë e as “sulme të pajustifikueshme” ndaj paqeruajtësve të NATO-s si ato që ndodhen në Zveçan, më 2023.

KFOR nuk u vonua në lidhje me Banjskën e as nuk dështoi të mbledhë informacione inteligjente për atë që ndodhi këtu por veproi me profesionalizëm dhe shpejtësi në Banjska.

Radojçiq duhet të japë llogari për Banjskën dhe Serbia duhet ta luajë rolin e saj në këtë proces të rëndësishëm

NATO nuk do të lejojë vakum sigurie në Kosovë e Ballkan, pasi ky rajon ka rëndësi strategjike për Aleancën Veriatlantike

Themelimi i xhandarmërisë së Kosovës është punë e kësaj të fundit, por nuk duhet të jetë “dyfishim të përpjekjeve”.

FSK po avancon – NATO e mbështet në kuadër të mandatit të saj fillestar për mbrojtje civile

Këto janë disa nga qëndrimet që ka shfaqur komandanti i KFOR-it, gjeneral majori turk, Ozkan Ulutash.

Ai ka folur edhe për shumë çështje tjera që lidhen me sigurinë në Kosovë dhe mundësitë e anëtarësimit të saj në NATO.

KosovaPress: Si do ta vlerësonit situatën aktuale të sigurisë në Kosovë krahasuar me kohën kur morët për herë të parë komandën e KFOR-it?

Ulutash: Në përgjithësi, situata është e qetë, por ende ekzistojnë disa çështje të pazgjidhura që mund të kenë ndikim në siguri dhe, për këtë arsye, duhet të adresohen.

Mandati im i parë në krye të KFOR-it në vitin 2023 pasoi incidente serioze të sigurisë në veri të Kosovës, të cilat kishin ndodhur më herët gjatë atij viti, përfshirë sulmet e pajustifikuara dhe të papranueshme ndaj paqeruajtësve tanë në Zveçan. Si rezultat i këtyre zhvillimeve negative, KFOR-i u përforcua në masën më të madhe në më shumë se një dekadë, me dislokimin e afro një mijë trupave shtesë.

Që atëherë nuk kemi parë përsëritje të incidenteve me përmasa apo intensitet të ngjashëm. Megjithatë, ne mbetemi vigjilentë përmes një pranie të dukshme dhe fleksibile në mbarë Kosovën. Ne monitorojmë nga afër të gjitha zhvillimet relevante që mund të ndikojnë në sigurinë në Kosovë dhe në stabilitetin rajonal, ndërsa mbetemi plotësisht të përqendruar në zbatimin e misionit tonë, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999.

Misioni ynë është të kontribuojmë në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe në garantimin e lirisë së lëvizjes, në çdo kohë, në mënyrë të paanshme dhe në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), secili sipas rolit të vet si reagues të sigurisë.

Me stabilizimin e situatës së sigurisë, NATO do të optimizojë praninë e KFOR-it në Kosovë dhe gradualisht do të përshtatë nivelin aktual të forcave gjatë vitit të ardhshëm. Ky proces do të zhvillohet gradualisht dhe në përputhje me kushtet në terren, ndërsa mund të rikthehet në gjendjen e mëparshme nëse zhvillimet e sigurisë e bëjnë të nevojshme.

Që nga viti 1999, prania e KFOR-it është përshtatur vazhdimisht në mënyrë që misioni të mbetet i aftë për të përmbushur detyrën dhe t’i përgjigjet zhvillimit të situatës së sigurisë.

KosovaPress: Cilat janë sfidat dhe kërcënimet kryesore të sigurisë që KFOR-i identifikon aktualisht në Kosovë?

Ulutash: Retorika nxitëse dhe përdorimi i vazhdueshëm i dezinformatave janë ndër shqetësimet tona, duke pasur parasysh ndikimin që ato mund të kenë në mjedisin e sigurisë. Për këtë arsye, KFOR-i mbetet vigjilent dhe i pozicionuar mirë në gjithë Kosovën.

KFOR-i do të vazhdojë të bëjë atë për të cilën është mandatuar. Megjithatë, dua ta bëj të qartë se rruga drejt një sigurie të qëndrueshme është politike, jo ushtarake.

Për këtë arsye, KFOR-i do të vazhdojë të luajë rolin e tij në kuadër të përpjekjeve më të gjera të NATO-s për të mbështetur avancimin e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Pikërisht ky dialog është korniza për adresimin e të gjitha çështjeve të mbetura pezull dhe për arritjen e zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e të gjitha komuniteteve.

KosovaPress: Sa i qëndrueshëm është sot mjedisi i sigurisë në veri të Kosovës?

Mjedisi i sigurisë në veri të Kosovës është aktualisht i qetë.

KFOR-i mban një prani të rregullt, të dukshme dhe fleksibile përmes patrullimeve, pikave të vrojtimit dhe angazhimit me të gjitha komunitetet lokale.

Kjo qasje, e kombinuar me koordinimin dhe komunikimin e ngushtë me Policinë e Kosovës, EULEX-in dhe Forcat e Armatosura të Serbisë, na ndihmon të kemi një pasqyrë të plotë të situatës dhe të jemi të gatshëm të reagojmë në mënyrë efektive ndaj çdo zhvillimi të rëndësishëm të sigurisë.