Arrestimi i Mentor Mustafës, avokati Koci: Sa herë ka hetime për krime lufte në Kosovë ka arrestime në Serbi
Ndalimet e qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare serbe nga autoritetet serbe po vazhdojnë. Me këtë gjë së fundmi u përball Mentor Mustafa 44 vjeçar, nga fshati Jasenovik i Novobërdës, i cili ishte duke ardhur me autobus nga Shtutgarti në Kosovë së bashku me vëllain, Fejzullahun. Ndalimi i tij u bë mbrëmë rreth orës 22:30,…
Lajme
Ndalimet e qytetarëve të Kosovës në pikat kufitare serbe nga autoritetet serbe po vazhdojnë. Me këtë gjë së fundmi u përball Mentor Mustafa 44 vjeçar, nga fshati Jasenovik i Novobërdës, i cili ishte duke ardhur me autobus nga Shtutgarti në Kosovë së bashku me vëllain, Fejzullahun.
Ndalimi i tij u bë mbrëmë rreth orës 22:30, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë. Për rastin avokati Arianit Koci njoftoi se ndalimi i Mentor Mustafës sipas autoriteteve serbe ka të bëjë me letërnjoftim të dëmtuar.
Koci për KosovaPress tha se këto arrestime nga Serbia bëhen sa herë në Kosovë ka hetime në lidhje me krimet e luftës.
Së fundmi gjatë javës së kaluar, në Kalludër të Vogël të Zubin Potok janë zhvilluar gërmime ku dyshohet të ketë mbetje mortore të 23 intelektualëve nga Mitrovica gjatë luftës së fundit.
“Si avokat që prej vitesh merrem me raste të tilla, nuk mund të mos e vërej se sa herë që në Kosovë ka zhvillime të rëndësishme lidhur me krimet e luftës, shpesh pasojnë edhe veprime të autoriteteve serbe. Kjo krijon një perceptim se po tentohet të ndërtohet një lloj barazimi i krimeve. Edhe arrestimi i fundit që ka ndodhur mbrëmë e unë sot herët në mëngjes jam informuar, tashmë është i njoftuar edhe nga autoritetet serbe, vjen në një periudhë kur në Kosovë po zhvillohen hetime të rëndësishme për krime lufte”, tha Koci.
Avokati tha se kështu po krijohet një pasiguri e qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar kujdes nga ta sa herë që mendojnë të udhëtojë nëpër Serbi.
Ai shtoi se ky angazhim i tillë për të është edhe detyrim patriotik, sepse, sipas tij, asnjë qytetar i Kosovës nuk duhet të ndihet i vetëm kur përballet me një situatë të tillë jashtë vendit.
“Koha është faktori më i rëndësishëm. Duhet të angazhohet menjëherë një avokat në Serbi, të kuptohet baza ligjore e ndalimit, të sigurohet qasja në dokumentacion dhe të përdoren të gjitha mjetet juridike që i parashikon ligji. Unë shpesh e kam marrë edhe rolin e një koordinatori mes avokatit, lëndës dhe familjes. Duhet theksuar se njëkohësisht duhet të angazhohen edhe institucionet e Republikës së Kosovës. Përvoja e viteve të fundit tregon se aktiviteti i autoriteteve serbe ndaj qytetarëve të Kosovës është shtuar. Pikërisht për këtë arsye, besoj se edhe shteti ynë duhet të rrisë nivelin e angazhimit. Ambasadori i Kosovës në Beograd, Jetish Jashari, po bën një punë fantastike, është një diplomat shumë i mirë, mirëpo ai është lënë vetëm në zyrë. Atij i duhet ndihmë. Në anën tjetër, nuk mjafton vetëm familja dhe avokati. Duhet një reagim i shpejtë dhe i koordinuar institucional”, vijoi avokati.
E si ndër sfidat kryesore gjatë këtyre proceseve,
Koci përmend situata të qytetarëve shqiptarë të arrestuar në Serbi, kur rëndom familja në orët e para nuk ka informacion. Avokati tregoi edhe një përvojë personale me autoritetet serbe.
“Sfida më e madhe është se nuk ke përballë vetëm një procedurë juridike. Ke një qytetar të privuar nga liria, një familje që pret lajme dhe shpesh shumë pak informacion në orët e para. Po e ndaj edhe një përvojë personale. Edhe unë në disa nga hyrjet e mia të fundit në Serbi jam ndaluar për kontroll shtesë. Madje kjo ka ndodhur edhe kur kam qenë në prani të ambasadorit të Republikës së Kosovës, zotit Jetish Jashari dhe duke udhëtuar me veturë diplomatike. Nuk dua të spekuloj për arsyet e këtyre kontrolleve. Në fund të fundit as që jam i rëndësishëm unë, a po ndalohem apo arrestohem. Por një gjë është e qartë se procedurat ndaj qytetarëve të Kosovës janë bërë të shpeshta dhe shumë rigoroze. Megjithatë, kjo situatë, ky presion edhe ndaj meje nuk më ka dekurajuar”, përfundoi Koci.